Besueshmëria e këtyre zgjedhjeve po rrënohet me një shpejtësi marramendëse. Pasi kanë zhveshur opozitën reale, atë që është e vetmja përpos rilindjes që konkuron në të 61 bashkitë e vendit edhe nga vula, edhe nga komisioneret edhe nga financimi publik edhe koha mediatike, sot KQZ ka hedhur edhe një hap më shumë drejt shkatërrimit të zgjedhjeve.
Ajo ka vendosur që në gjysmat e tavolinave të numërimit të votave të mos ketë asnjë nga numëruesit që cakton aleanca Berisha Meta dmth, “Bashkimi për fitore”. Pra në gjysmat e tryezave ku do të kalohen nëpër duar votat e sapo dalë nga kutia, një numërues do të jetë i Ramës, një i Tom Doshit si pjesë e mazhorancës, kurse votat e opozitës do ti ruajë një i Alibeaj dhe një i Shpëtim Idrizit që KQZ-ja e ka emëruar si opozitë ndonëse në traditën më të vyer të tregut çam PDIU voton prej kohësh përkrah qeverisë.
Ndonëse sipas akrobacirave të Kolegjit Zgjedhor, KAS-it dhe KQZ-së përfaqësuesit e PD të Berishës nuk figurojnë formalisht në këto zgjedhje, më këtë vendim është prishur një traditë e vendosur që pas masakrave elektorale të viteve 2000. Që prej asaj kohe u vendos parimi i ekuilibrit që secila palë ruan votat e veta. Për herë të parë opozita reale që konkuron në të gjitha bashkitë është zhveshur nga kjo e drejtë.