AKTUALITETTOP-NEWS

Universiteti “Eqrem Çabej” me vetëm 405 regjistrime, alarmi te disa degë: Matematikë- Fizikë vetëm 2 studentë

Gjirokastër – Vetëm 405 studentë janë regjistruar deri më 29 shtator në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, ndërsa shifrat e regjistrimeve tregojnë një interes të pabarabartë mes programeve të studimit.

Programet profesionale dyvjeçare rezultojnë ndër më të preferuarat, duke grumbulluar gjithsej 133 studentë.

Një tjetër numër i konsiderueshëm regjistrimesh është shënuar në programet e Infermierisë, ku në tre programet përkatëse janë regjistruar 78 studentë.

Ndërkohë, në gjashtë programet Bachelor të Fakultetit të Edukimit janë regjistruar 62 studentë.
Në Fakultetin Ekonomik, së bashku me programet e tij dyvjeçare, numërohen 168 studentë, duke e bërë një nga fushat me numrin më të lartë të regjistrimeve në universitet.

Por në disa prej degëve të tjera shifrat janë dukshëm më të ulëta.

Programi Biologji-Kimi ka të regjistruar 12 studentë, ndërsa Teknologjia e Informacionit 16 studentë. Situata më kritike paraqitet te Matematikë-Fizikë, ku deri më 29 shtator janë regjistruar vetëm 2 studentë.

Shifrat e regjistrimeve ngrenë pikëpyetje mbi interesin e maturantëve për disa prej programeve universitare dhe mbi të ardhmen e degëve që po përballen me numër shumë të ulët studentësh.

Në një kohë kur universitetet shqiptare po përpiqen të tërheqin më shumë të rinj, të dhënat nga Gjirokastra tregojnë se disa profile vazhdojnë të kenë vështirësi për të siguruar numrin e nevojshëm të studentëve.

Diferenca mes degëve është e dukshme: nga 168 studentë në Ekonomi, te vetëm 2 në Matematikë-Fizikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button