
Pas zhveshjes së Belinda Balluku nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, kryeministri Edi Rama i ka hequr asaj dhe një tjetër pozicion. Në mbledhjen e fundit të qeverisë është marrë vendimi që Balluku të zëvendësohet edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ku ajo ishte pjesë për shkak të pozicionit të mëparshëm.
VENDIMI
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, znj. Belinda Balluku, zëvendëskryeministër, zëvendësohet me znj. Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër.
2. Në pikën 2, znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit, zëvendësohet me znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.











