Vjosa përmbyti Ferasin, banorët ende pa dëmshpërblim: “Na njohin vetëm orenditë, jo shtëpitë, muret rrethues dhe tokat”

Levan – Dalja e lumit Vjosë nga shtrati dy javë më parë ka lënë pas dëme të mëdha në banesa dhe në të mbjella në fshatin Feras. Megjithëse kanë kaluar ditë nga përmbytjet, banorët thonë se procesi i verifikimit dhe dëmshpërblimit po ecën me ritme të ngadalta dhe me mospërputhje serioze.
Sipas banorëve, komisionet e verifikimit nga bashkia kanë qenë në terren dhe kanë konstatuar dëmet, por u është komunikuar se dëmshpërblimi do të përfshijë vetëm orenditë shtëpiake.
Ndërkohë, dëmet strukturore në banesa, si çarje në mure, shembje muresh rrethues apo dëmtime të tjera serioze, nuk po njihen.
“Na janë çarë shtëpitë, na janë rrëzuar muret rrethues, por këto dëme nuk po na i marrin parasysh,” shprehen banorët, duke e cilësuar situatën si të padrejtë dhe shqetësuese.



Edhe më problematike paraqitet situata për dëmet në të mbjella. Banorët thonë se humbjet në bujqësi janë edhe më të mëdha, por komisionet e Drejtorisë së Bujqësisë ende nuk kanë shkuar në terren për të kryer verifikimet dhe për të përcaktuar vlerën e dëmshpërblimit.
Ndërkohë, Kastriot Bana një banor i Ferasit, emigrant në Itali, ka reaguar përmes një deklarate në WhatsApp. Ai pohon se banesa e tij ndodhet pikërisht pranë argjinaturës ku doli lumi, çarje që i ka shembur murin rrethues të shtëpisë.


“Pse nuk ma njohin dëmin? Unë duhet të vij nga Italia për të nxjerrë leje për të ribërë murin rrethues, sepse nëse e rindërtoj pa leje, më quhet ndërtim pa leje dhe më dënojnë. Kjo ma rrit edhe më shumë dëmin. Ne presim dëmshpërblim nga shteti,” shprehet ai.
Të kontaktuar komisioni i verifikimit dëmeve në bashki ka pohuar se janë kontaktuar të gjithë banorët që u përfshin nga dalja e lumit Vjosë.
Banorët e Ferasit kërkojnë verifikim të plotë dhe të drejtë të të gjitha dëmeve, si në banesa ashtu edhe në bujqësi, duke theksuar se pasojat e përmbytjes janë ende të pranishme dhe po rëndojnë çdo ditë jetesën e tyre./ ALB365/ Xhemil Beharaj











