Nga “Zëri i Amerikës”-
Në Shqipëri po publikohen në vijimësi njoftime të reja që implikojnë zyrtarë të lartë në çështjen e inceneratorëve, një nga më të përfolurat për korrupsion. E ndërsa disa zyrtarë të lartë janë arrestuar për këtë çëshje, së fundi janë bërë publike disa email-e që kompromentojnë edhe ish-zv kryeministrin Arben Ahmetaj, emri i të cilit figuron në disa fatura të paguara për llogari të tij, nga biznesmeni Klodian Zoto, në kërkim ndërkombëtar për incenereatorët, në së paku 8 hotele luksoze jashtë vendit. Ish-Ministri Ahmetaj, ndaj të cilit nuk ka asnjë akuzë për këtë çështje, tha se dokumentat nuk janë origjinale, ndërsa komente bënë dhe përfaqësues të opozitës e shumicës qeverisëse.
Në Shqipëri, një prej çështjeve më të përfoluara për korrrupsion në 9 vite të qeversjes së socialistëve është ajo e inceneratorëve. E ndërsa pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme dërgoi në gjykatë një dojse me disa të pandehur, përfshirë dhe ish-Ministrin Lefter Koka dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, të akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, njoftimet e reja po implikojnë edhe ish Zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj një nga figurat më jetëgjata si ministër në qeveritë e zotit Rama që nga viti 2013.
Gazetari Adriatik Doçi, thotë se ka zbuluar disa email-e, që sipas tij ndodheshin në kompjuterin dhe telefonin e Klodian Zotos, biznesmenit të lidhur me inceneratorët, të sekuestruara nga SPAK. Përmes këtyre email-eve Klodian Zoto, aktualisht në kërkim ndërkombëtar, në verën e vitit 2020, kërkonte nga disa hotele në Europë, rikonfirmim të faturave të paguara prej tij, në favor të Z. Ahmetaj. Në faturat e publikuara figuron dhe emri i Mirel Mërtirit, edhe ky në kërkim për korrupsion aktiv dhe pastrim parash në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.
Gazetari Doçi ngre dyshime se këto emale kane qenë në duart e hetuesve dhe se nuk janë përdorur qëllimisht prej tyre. Ndaj ai i ka referuar dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho në SPAK për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. I pyetur nga Zëri i Amerikës, se si vertetohet që këto emaile ishin në duart e prokurorëve dhe nuk janë përdorur prej tyre si prova, Z. Doçi jep këtë përgjigje.
“Dokumenti që vërteton këto është dosja e plotë që është referuar në gjykatë nga SPAK-u ku referohet nga policia shkencore ekspertiza që janë zbërthyer 3 kompjuterat e Klodian Zotos dhe telefoni i tij. Dhe këto emale janë në kompjuterin dhe në telefonin e tij. Pra disa materiale janë përdorur nga hetuesit dhe disa të tjera, ku përfshihen dhe këto email-e kompromentuese për ish-ministrin Arben Ahmetaj nuk janë përfshirë në dosjen hetimore”-tha për Zërin e Amerikës, Adriatik Doçi.
Zoto duket se i grumbulloi të dhënat kompromentuese ndaj Z. Ahmetaj, pikërisht në vitin 2020, kur prokuroria regjistroi dhe proçedimin penal për rastin e inceneratorëve, dhe presioni publik dhe akuzat në lidhje me ndërtimin e inceneratorëve ishin intensifikuar, duke parandjerë me gjasë, kthesën që po merrnin ngjarjet. Shumat e prenotimeve në hotelet luksoze, variojnë nga 1100 deri në 1700 euro për dy netë qëndrimi në 8 udhëtime që nga Viena, Milano, Bukuresht apo Franfurti. Gazetari Adriatik Doçi thotë se prenotimet përkojnë me kohën e miratimit dhe fillimit të zbatimit të kontratave konçensionare të tre inceneratorëve 2014-2017, ku roli i ish-Minstrit Ahmetaj, sipas tij ishte i rëndësishëm në këtë proçes.
Aktualisht ndaj ish-zyrtarit të lartë socialist Z.Ahmetaj nuk rëndon asnjë akuzë nga prokuroria, për inceneratorët. Në një reagim të pak ditëve më parë për emisionin “Të paekspozuarit” Z. Ahmetaj tha se emalet e publikuara nuk janë dokumenta origjinale dhe se nuk ka udhëtuar me Zoton apo përdorur kartën e dikujt. Ai tha se ka udhëtuar vetëm me miq dhe ish miq dhe se Zoto nuk është as njëra dhe as tjetra. Ish ministri ngre dyshime për një gjobëvënie ndaj tij.
Në shkurt të këtij viti i thirrur në komisionin hetimor mbi çështjen e inceneratorëve, Z. Ahmetaj mohoi të ketë lidhje dhe njohje me pronarët e inceneratorëve përfshi dhe Klodian Zoton.
“Pyetja për mua do ishte kë nuk njeh në republikën e Shqipërisë. Unë nuk kam as lidhje gjaku, as lidhje familjare as lidhje krushqie, as biznesi, as lidhje varësie pune, asnjë lloj lidhje. Kemi qenë në një qytet. Madje Zoton e kam të njohur në distancë, jo nga afër”- u shpreh Arben Ahmetaj, ish Zv. kryeministër në shkurt të vitit 2022 në komisionin hetimor për inceneratorët.
Zoti Ahmetaj u përfol edhe disa vite më parë, pas njoftimeve se ishte aksidentuar me makinë në Maqedoninë e Veriut dhe se me të ndodhej dhe Mirel Mërtiri, sot në kërkim ndërkombëtar në lidhje me inceneratorët. Në atë kohë ai e tejkaloi këtë moment duke thënë se mund të udhëtojë me dhjetra biznesmene dhe se ne rastin konkret nuk kishte asnjë konflikt interesi, pasi Mërtiri siç tha ai në emisionin Opinion nuk figuronte në asnjë dokument të inceneratorëve. Ndërsa faktit që në këto dokumenta figuronte partnerja e tij, edhe kjo në kërkim për çështjen e inceneratotve, ai iu përgjigj se ajo ka përgjegjësi personale.
Zëri Amerikës u përpoq të kontaktonte përmes aplikacionit Wahtsapp si dhe përmes telefonit, edhe avokatin Ardian Leka, i cili mbron biznesmenin Klodian Zoto, për një reagim mbi emailet, por nuk mori përgjigje deri në përgatitjen e këtij materiali.
Ndërsa ish-kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët Jorida Tabaku i tha Zërit të Amerikës se aktualisht ka kërkuar nga SPAK, të dijë nëse ka patur dijeni për emalet, që u publikuan në media, a janë ato pjesë e provave në dosjen hetimore, dhe nëse është thirrur ish- minstri Ahmetaj si person në dijeni, por shtoi se ende nuk ka një përgjigje.
“Për mua të dhënat ishin tronditëse nëse do bëhej fjalë për një zyrtar të thjeshtë, dhe jo më kur bëhet fjalë për një person i cili nën betim ka pohuar që nuk ka asnjë lidhje me këto persona, që nuk i njeh këto persona dhe që nuk ka ndikuar në vendimarrjen për çështjen e inceneratorëve”- u shpreh për Zërin e Amerikës Jorida Tabaku, ish-kryetare e komisionit hetimor për inceneratorët.
Zëri i Amerikës ju drejtua dhe kryetarit të grupit parlamentar të PS, Z. Taulant Balla për një reagim mbi këtë çështje. Ai tha se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe se nuk mund të ketë hetime edhe nga prokuroria edhe nga opozita apo individë të ndryshëm.
“Akuzat në këtë vend i ngre prokuroria, dhe unë besoj se puna e bërë deri tani, dhe gjithshka ka për detyrë SPAK, për rastin në fjalë është, që ajo duhet të flasë, të tjerët duhet të heshtin”- tha për Zërin e Amerikës Taulant Balla, kryetar i grupit parlamenar të PS
Zëri i Amerikës pyeti SPAK nëse ka qenë prokuroria në dijeni të këtyre imail-ve dhe nëse po, a janë ato pjesë e provave në dosjen hetimore, dhe nëse nuk ka patur dijeni për to, a shërbejnë këto email-e si indicie për të marrë në pyetje apo nën hetim edhe ish ministrin Arben Ahmetaj. Në përgjigjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se hetimet paraprake vazhdojnë dhe sa kohë ka hetime nuk mund t’i përgjigjen këtyre pyetjeve.
Ndërsa në njoftim e SPAK për mediat mbi dërgimin e dosjes me disa të pandehur në Gjykatë, për inceneratorin e Elbasanit, thuhet se hetimet vazhdojnë të ndara për elementë të tjerë, përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto.
Çështja e tre inceneratorëve në Shqipëri, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, në të cilën deri tani rezultojnë të përfshirë dhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, të dy të arrestuar, vijon të jetë një patate e nxehtë në politikë dhe një provë e fortë për organet e reja të drejtësisë./VOA/