Monday, March 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËVOA publikon intervistën me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi

VOA publikon intervistën me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi

Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi flet mbi protestën më të fundit të opozitës dhe se cila do të jetë qasja opozitare deri në përballjen e radhës zgjedhore. Zonja Kryemadhi thotë se më shumë sesa një protestë për shkak të figurave politike që iu bashkuan asaj, ai ishte një organizim njerëzish të pakënaqur me qeverinë, që u ka lënë si mundësi të vetme largim nga vendi, sikurse tha ajo.

Gjatë intervistës se saj zonja Kryemadhi trajton çështjen e raporteve me Partinë Demokratike, si e sheh LSI-ja shpalljen non-grata të ish-Kryeministrit Berisha si dhe aferën e inceneratorëve. Me zonjën Kryemadhi bisedoi Menada Zaimi.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, partia që ju drejtoni është sot në krah të Partisë Demokratike. Protesta e fundit ishte ndër më të mëdhatë që ka organizuar opozita vitet e fundit. Përveç faktit se shqiptarët mund të kenë arsye nga më të ndryshmet për të qenë të pakënaqur me qeverinë, çfarë të reje u ofroni ju atyre? Jeni të njejtat figura prej shumë e shumë vitesh, pse duhet të besojnë ata se ju jeni ndryshe?

Monika Kryemadhi: Nuk e mendoj që shqiptarët, sidomos qytetarët e Tiranës atë ditë më 7 korrik ishin aty për shkak të figurave politike. Mendoj që problematikat që shtohen çdo ditë për qytetarët shqiptarë, çmimet e larta që përdorën në mënyrë spekulative, çmimi i naftës, çmimet e ushqimeve, mungesa e shërbimit shëndetësor, mungesa e shërbimit arsimor, largimi i çdo ditë i të rinjve e të rejave nga Shqipëria i ka vendosur në një panik, jo vetëm emocional, por edhe në një panik ekonomik familjet shqiptare, të cilat të shikojnë të vetmen zgjidhje: o largimin nga Shqipëria ose qëndresën përballë asaj çfarë ndodh. Ajo që mendojë është se protesta nuk ishte thjeshtë e Partisë Demokratike dhe thjeshtë me militantë dhe me flamurat e partive politike. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them që goditja që opozita e kaluar i bëri protestës qytetare, duke shitur kauzat është shumë e vështirë për ta rikthyer dhe ajo ishte një ditë për opozitarizmin, jo për t’u bazuar në figurat e opozitës, por më shumë për t’u bazuar tek kauzat që japin zgjidhje. Mendoj që sot shqiptarët nuk kanë më nevojë për ta identifikuar qëndresën e tyre me fytyrën e Monikës, por sot shqiptarët shikojnë se si çdo ditë u merren nga xhepat e tyre 80 mijë euro me incineratorin e Tiranës, i cili është një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik me atë çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh, që ka shkuar e ka cënuar jo vetëm integritetin juridik e tregtar të sistemit me të cilin jeton Shqipëria, por ka cënuar mbi të gjitha edhe integritetin e të dhënave personale dhe përdorimin e të dhënave të të gjithë njerëzve.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, besoni se protestat që ish-Kryeministri Berisha ka paralajmëruar se do të vijojnë, mund të çojnë në rrëzimin e qeverisë Rama? Opozita i ka provuar të gjitha format edhe ato më radikalet, por nuk ia ka arritur…

Monika Kryemadhi: Nëse protestat do të jenë qytetare dhe qëndrestare, do t’u kujtoja të gjithëve, protestat e studentëve në 2018-ën, të cilat ushtruan një presion të madh psikologjik tek Rama, që kishte të bënte me rritjen e një takse për universitetin dhe ndryshoi 99 për qind të qeverisë. Në fakt, ne kemi votuar një reformë në drejtësi me 140 vota në 2016-tën ku ajo që unë vazhdoj dhe e ngre zërin më shumë se kushdo tjetër, nëse do të funksiononte kjo reformë në drejtësi, ne sot do të kishim përpara drejtësisë zbardhjen e gjithë skemës së inceneratorëve e cila është e faktuar me dokumenta. Mund të them që evazioni fiskal që unë e denoncova para disa ditësh që është në vlerën e 189 millionë dollarëve. Do t’u bëja vetëm një pyetje: çfarë do të ndodhte nëse një nga pensionistët e përdorur 95 vjeçar në azil të pleqve, do të ishte mamaja e Monikës apo do të ishte prindi, mamaja apo babai i ndonjë punonjësi shqiptar të ambasadës amerikane në Shqipëri, apo do të ishte mamaja e gruas së Edi Ramës, apo nëna e Edi Ramës që ka vdekur, duke i përdorur të dhënat e tyre nëpër këto kompani, siç ka ndodhur në raste të tjera. A është ky cënim i sigurisë të të gjithë shtetit ligjor dhe të gjithë funksionimit të ekonomisë shqiptare? Pra, është shumë e rëndë, në çdo vend të botës, jo vetëm do të kishte rënë shteti, por në çdo vend të botës drejtësia do të kishte vepruar me një urgjencë të jashtëzakonshme.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ka një hetim mbi këtë çështje që po kryhet nga SPAK-u…

Monika Kryemadhi: Për hir të së vërtetës, për inceneratorin e Tiranës ka mbi një vit e gjysmë ndërsa për dy inceneratorët e tjerë, Elbasani dhe Fieri, këtu është edhe pyetja shumë dyshuese, mbasi janë paguar të gjitha paratë, pra janë shlyer nga qeveria shqiptare buxhetet 100% atëherë SPAKU veproi mbi dy këto inceneratorë, në mënyrë të tillë që të lejohej të bëheshin pagesat deri në fund për inceneratorët. Ndërsa, për inceneratorin e Tiranës, ne nuk mendojmë se duhet të presim derisa të mbyllet koncesioni prej 30 vjetësh që Erion Velijaj e ka firmosur për këtë. Dhe, jo vetëm Erion Veliaj, por edhe Kryeministri Edi Rama i cili ka bërë bekimin për gjithë skemën e mashtrimit dhe të përdorimit jo vetëm të pastrimit të parave, por të katër veprave penale, siç është falsifikimi ose mashtrimi i detyrimeve financiare, siç është përdorimi për pastrimin e veprave kriminale siç janë krimet financiare dhe të tjera kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Kontrollin e Partisë Demokratike, e ka rimarrë ish-Kryeministri Sali Berisha. A përbën shqetësim për ju fakti që zoti Berisha është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara? Qëndrimet e administratës amerikane kanë qenë të qarta se ato nuk do të bashkëpunojnë me një forcë politike të drejtuar nga zoti Berisha.

Monika Kryemadhi: Unë mendoj që zoti Berisha e ka çështje personale, çështjen e të shpallurës së tij non grata, është një çështje që ai e ka nisur rrugën e vet të sqarimit. Lëvizja Socialiste për Integrim është një strukturë politike më vete, por sigurisht që qëndresat e opozitarizmit në raste të tilla siç janë, përkundrejt çmimeve të larta, siç janë mungesa e mundësive që u jepen shqiptarëve. Ne flasim çdo ditë korrupsioni, korrupsioni, por nuk ka reagim për korrupsionin dhe ndërkohë që shqiptarët, në fund të ditës, pranojnë të bashkëjetojnë me korrupsionin, pranojnë të bashkëjetojnë me çdo gjë tjetër për shkak se është e vetmja mënyrë për të mbijetuar në Shqipëri dhe kush nuk pranon një zgjidhje të tillë largohet si emigrant nga vendi, mendoj që sot ne na duhet më shumë një unifikim dhe hapje e të gjithë skenës politike për rikthimin e të rinjve dhe të rejave kudo që janë dhe për të drejtuar klasën politike. Sepse, nëse ne nuk do t’u japim mundësinë të rinjve dhe të rejave, atë që zgjedhjet e 25 prillit ku paratë e incineratorëve, drogës, korrupsionit, konçensioneve u përdorën për të tjetërsuar votën dhe rasti i zgjedhjeve të kaluara tregonte se sa e pamundur është për të rinjtë dhe të rejat të përfshihen në politikë, të përfshihen në vendimmarrje, të përfshihen në hartimin e politikave. Sepse sot është më e kollajshme të jesh një trafikant droge ose një i dënuar për prostitucion ose për trafik droge dhe je deputet në parlament, sesa për një të ri apo të re që janë të shkolluar jashtë shteti, janë të zotë, të jenë të përfshirë në politikën shqiptare.

Zëri i Amerikës: Së fundmi, ka patur një denoncim ndaj jush dhe funksionarëve të lartë të LSI-së nga ish-deputeti Halit Valteri. Ai ju akuzon për kontrata lobimi të financuara me fonde të padeklaruara, apo skema pastrimi parash që burojnë nga korrupsioni sipas tij. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?

Monika Kryemadhi: Mendoj që Zëri i Amerikës e di shumë qartë si funksionojnë kontratat e lobimit, më mirë edhe se Monika. Nuk kam ndërmend të merrem me Halit Valterin. Kam bërë një kallzim, për kallzim të rremë. Kaq, dhe nuk merrem më me të. Por subvencioni që bëhet nga paratë e incerenatorëve, ku ne presim të shikojmë 128 milionë euro të cilat kryeministri shqiptar thotë se duhet të investoheshin nga konçesionari i incerenatorëve të Tiranës, në mënyrë që të merrnin shpërblimin prej 29 euro tonin, kjo gjë nuk ka ndodhur. Paratë e shqiptarëve janë përdorur sidomos për blerjen e mediave, politikanëve, institucioneve ndërkombëtare, e kohës televizive, bizneseve edhe të politikanëve brenda për brenda, për t’u mbyllur gojën apo për t’i tjetërsuar. Kjo është një situatë për të shmangur vëmendjen nga e gjithë kjo skemë korruptive, ku po të kishte një sistem drejtësie, ku SPAK po të ishte vërtet SPAK, pra një institucion që funksionon, do kishte hetuar jo vetëm aferën korruptive të inceneratorëve, por do të kishte zbardhur të gjithë përdorimin dhe futjen e parave të cilat vijnë, në këndvështrimin tim, jashtë biznesit shqiptar. Vijnë para shumë të ‘pista’ që janë futur në ndërtim, janë futur në qarkullim dhe përveç kësaj kanë dëmtuar ekonominë shqiptare. Për të larguar vëmendjen e opinionin publik dhe ndërkombëtar me aminsti fiskale, gjë që është një amnisti kriminale e cila tjetërson paratë e krimit, drogës, pse jo edhe të terrorizmit apo trafiqeve të tjera për t’i legalizuar në Shqipëri. Unë nuk mendoj që amnistia fiskale, që në ligjëratë të drejtë sipas kryeministrit shqiptar apo edhe avokatëve të tij, i shërben çështjes së diasporës. Unë nuk mendoj që ka ndonjë emigrant shqiptar që jeton në Amerikë dhe do të sjellë dy milionë dollarë kesh në Tiranë, sepse nuk të lë njeri të dalësh nga kufijtë e Amerikës me dy milionë dollarë kesh, apo nga Gjermania apo Anglia. Mendoj që kjo është një manipulim jo vetëm i opinionit publik, për të mos thënë pastaj se mund të shërbejë si një linjë e pastrimit të parave për shumë grupe kriminale, jashtë dhe brenda Shqipërisë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME