Ish kryeministri Sali Berisha u sulmua sot papritur nga 31 vjeçari Gerti Shehu, ndërsa po ecte nga selia e partisë së bashku me ish presidentin Ilir Meta, drejtuesin e Partisë së Lirisë, në drejtim të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, ku po niste një protestë kundër kryeministrit Edi Rama.
Ai iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Goditja duket se ishte e fortë dhe zoti Berisha u lëkund pas, duke humbur ekuilibrin.
Shehu u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë.
Mbeten ende të paqarta motivet e sulmit ndaj zotit Berisha, i cili pak minuta pas goditjes u ngrit dhe vijoi të ecte, ndonëse në fytyrën e tij ishin të dukshme shenjat e goditjes dhe pjesë të përgjakura në anën e djathtë të faqes.
Zoti Berisha u ngjit më pas për të përshëndetur protestuesit nga podiumi lëvizës në urën e bulevardit qendror “Dëshmorët e Kombit”, aty ku policia kishte vendosur barriera hekuri, pjesë e perimetrit të sigurisë, të ngritur për të garantuar mbarëvajtjen e takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i cili ka nisur sot paradite.
Gjatë fjalës së tij në tubim, zoti Berisha bëri thirrje që dhunuesi i tij të lirohej, duke theksuar se autori i vërtetë i sulmit ishte kryeministri Rama.
Policia njoftoi se 31 vjeçari G.Sh., i cili goditi me grusht deputetin Sali Berisha, është me precedentë të mëparshëm kriminalë: plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve. Familjarët i treguan policisë diagnozën klinike, sipas të cilës, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh për këtë.
Më pas në një konferencë shtypi zoti Berisha deklaroi se njoftimi i policisë ishte një mashtrim, dhe se Gert Shehu “ishte agjent i policisë kriminale”, që u keqpërdor nga kryeministri Rama. Ai tha se këtë akt e kryen zoti Rama, ministri i brendshëm Bledi Çuçi, dhe ish drejtori i policisë Ardi Veliu.
Kryeministri Rama e dënoi sic tha “pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”.
Sulmi u dënua nga një zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve. Ai deklaroi se “u skandalizuan nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presin, që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar, sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin”, theksoi zëdhënësi./VOA/