Policia ekuadoriane raportoi të dielën se 23-vjeçarja Landy Párraga, ish-kandidate për Miss Ekuador u vra kur ishte në një restorant në qytetin e Quevedo në provincën e Los Ríos, një nga më të dhunshmit në këtë vend.
Policia tha se është duke mbledhur prova në lidhje me ngjarjen me qëllim zbulimin e autorëve.
Párraga mori pjesë në konkursin Miss Ekuador në 2022 duke përfaqësuar provincën e Los Ríos. Në dhjetor 2023, në një nga bisedat e publikuara nga Prokuroria u zbulua se ajo ishte e lidhur me trafikantin e drogës Leandro Norero që më pas u vra në mënyrë makabre në burg pasi iu pre koka.
Norero i thoshte se do të kishte paguar para në mënyrë që ajo të mos hetohej për rrjetin e trafikut të drogës. Modelja nuk foli ndonjëherë publikisht për çështjen dhe në fakt nuk u procedua penalisht nga Prokuroria. Norero, me nofkën “El Patron” u arrestua në maj 2022 për një rast të pastrimit të parave.
Ai dyshohet si personi që urdhëroi ekzekutimin e shqiptarit Ergys Dashi. Shqiptari u vra brenda një lokali në qytetin e Guayaquil. 34-vjeçari nga Durrësi ndodhej i ulur brenda në lokal kur u qëllua plot 20 herë. Nga plumbat u plagos edhe një grua në lokal.