Thursday, May 9, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËYuri Kim iku por Berisha ia numëron të gjitha

Yuri Kim iku por Berisha ia numëron të gjitha

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të martë një letër të gjatë lamtumire për ambasadoren amerikane Yuri Kim që lë vendin tonë në përfundim të mandatit. Në shkrimin e gjatë ku nuk mungonin shigjetimet dhe ironitë, Rama njoftonte se i kishte akorduar ambasadores edhe një medalje për angazhimin e saj në Shqipëri.

Por kësaj letre të gjatë të Ramës i ka kthyer përgjigje flakë për flakë ish-kryeministri Sali Berisha. Ai nuk kursen epitetet për ambasadoren teksa e quan atë armike të opozitës dhe sekretare të Partisë Socialiste.

Berisha thotë se Kim sulmoi opozitën dhe ndërhyri në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore në vendimet e gjykatave. Berisha e quan Kim një guvernatore që dëmtoi interesat e vendit tonë. Ish-kryeministri thotë se diplomatja amerikane nuk reagoi ndaj skandaleve të qeverisë dhe heshti për çështjen “McGonigal”.

LETRA E PLOTË E BERISHËS

Dy fjalë për apoteozën e Ramës për ish Ambasadoren Yuri Kim.

Të dashur miq, Edi Rama i kushton sot një lirikë politike, apoteozë të vërtetë, ambasadores Yuri Kim, e cila gjatë qëndrimit të saj në Tiranë u soll mbështetëse e fuqishme e tij dhe siç vlerësuan media, analistë dhe politikanë, si sekretare e Partisë Socialiste, por dhe si një armike ideologjike e opozitës konservatore.

Ajo sinkronizoi me Edi Ramën dhe qeverinë e tij sulmet e panumërta ndaj opozitës, përpjekjet antidemokratike të tij për kontrollin e opozitës për të mbështetur pushtetin e tij monist. Ajo ndërhyri në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore në vendime të gjykatave kundër opozitës së vërtetë, bëri presion të vazhdueshëm për hapje të proceseve gjyqësore ndaj opozitës.

Ajo është ambasadorja që me qëndrimet e saj si guvernatore dhe antiopozitare, dëmtoi më shumë se kushdo tjetër reputacionin e vendit të madh të lirisë në Shqipëri dhe u sulmua me dhjetëra herë nga personalitete, media e politikanë të të gjithë spektrit politik opozitar dhe të pavarur, për partinzanship-in në qëndrimet e saj, për shkeljen flagrante të “Konventës së Vienës” gjithnjë në interes të qeverisë së Edi Ramës.

Yuri Kim është ambasadorja që në 32 vite gënjeu më shumë dhe publikisht se çdo ambasador tjetër shqiptarët, gjithnjë kundër opozitës dhe në mbështetje të autorit të lirikës politike të sotme. Në vitet e saj në Shqipëri shpërtheu skandali me i madh në marrëdhëniet midis dy vendeve, skandali McGonigal. Ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së për New York-un i cili u korruptua nga Rama dhe u përdor prej tij gjatë kohës që ishte në detyrë kundër opozitës shqiptare për shkatërrimin e saj si dhe për shndërrimin në biznes korruptiv të sanksioneve të qeverisë amerikane në Shqipëri.

Ajo nuk reagoi ndaj asnjë skandali të qeverisë Edi Rama, shkatërrimin e paligjshëm të Teatrit Kombëtar, shkeljes së marrëveshjes së qershorit 2020 për ligjin elektoral, aferës korruptive të inceneratorëve. Zonja Yuri Kim nuk u tha shqiptarëve kurrë asnjë fjalë të vetme për superskandalin Rama – McGonigal sepse ajo vetë, sipas dëshmive në një farë mënyre, u bë pjesë e skemës së gjobvënies së biznesmenëve shqiptarë nga grupi gjobëvënës i drejtuar direkt nga McGonigal.

Ajo si asnjë ambasador tjetër, përdori pushtetin e saj si përfaqësuese e vendit të madh të lirisë për të promovuar dhe mbështetur afera të hapura korruptive qindra milionë dollarë në Shqipëri. Ish-ambasadorja Yuri Kim me qëndrimet e saj nuk respektoi standardet etike të ambasadorit. Ajo u përfol si asnjë ambasador tjetër i SHBA-së në 32 vite për afera rozë dhe prona të cilat nuk i përgënjeshtroi vetë, por për këto të fundit habitshëm preferoi si për të provuar lidhjet e saj të ngushta me Edi Ramën që këtë përgënjeshtrim t’ia besojë vetë Edi Ramës.

Të dashur miq, ambasadorja Yuri Kim gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri bëri përpjekje të hapura antikushtetuese që te emëronte kryetarin e Partisë Demokratike forcës konservatore të vendit duke përdorur kërcënime të hapura ndaj anëtarëve të Partisë Demokratike dhe habitshëm duke mbështetur njeriun që në një raport të bërë publik, komuniteti inteligjent i SHBA e kishte akuzuar direkt se ka pranuar 500 mijë dollarë financime ruse. E gjitha kjo për të mbeshtetur dhe konsoliduar pushtetin e autorit të lirikës politike Edi Rama.

Por në luftën e saj politike pa asnjë princip, Zonja Kim shkoi deri atje sa të falsifikojë në mënyrën më të neveritshme marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në 100 vjetorin e tyre, duke dëshmuar një kulturë të ekstremit të majtë të cilën shqiptarët nuk e kanë harruar akoma nga koha e diktaturës hoxhiste. Ajo e bëri këtë vetëm e vetëm se promotor kryesor në Shqipëri i marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane nga vizita e Sekretarit Baker në qershor të vitit 1991 dhe në vitin 2013 kishte qenë Partia Demokratike.

Duke i uruar suksese ambasadorit të ri të SHBA në misionin e tij në Shqipëri uroj gjithashtu që ish-ambasadorja Yuri Kim, që u soll ndaj opozitës shqiptare si një McGonigal politik, të mos jetë një e tillë për interesat e Edi Ramës në Washington. #sb

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME