Policia gjen pronarin e Volkswagen-it të braktisur në kanalin me ujë në Kallm, por mister mbetet personi që e drejtonte.

Fier – Policia e Fierit ka arritur të identifikojë pronarin e automjetit tip Volkswagen, me targa AA 772 NS, i cili u gjet i përmbysur në një kanal të mbushur me ujë në rrugën dytësore rurale që të çon drejt zonës së Kallmit.
Automjeti është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas burimeve konfidenciale nga Policia e Fierit, pronari i automjetit është një qytetar nga qyteti i Fierit. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse në momentin e ngjarjes mjeti drejtohej prej tij apo ishte në përdorim të një personi tjetër.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e drejtuesit që ka qenë në timon dhe për të zbuluar arsyen se përse automjeti ndodhej në atë zonë në orët e mesnatës.
Nga këqyrja paraprake e automjetit nuk janë konstatuar sende apo elemente të kundërligjshme. Megjithatë, hetuesit po verifikojnë nëse automjeti mund të jetë vjedhur apo nëse i është dhënë në përdorim një personi tjetër, përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të tij në ndonjë veprimtari të paligjshme.
Pritet që hetimet e Policisë së Fierit të hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjes, identitetin e personit që drejtonte automjetin dhe arsyet që çuan në braktisjen e tij në kanalin me ujë, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës.








