Zgjidhet kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse, shqiptari Joan Pelushi

Sinodi i Shenjtë ka zgjedhur Joan Pelushin si kryepeshkop të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Kambanat e Kishës kanë rënë në Tiranë dhe qytete e tjera të vendit, ndërsa njoftuan lajmin për zgjedhjen e Joan Pelushit, si pasues të të ndjerit Anasatas Janullatos.
Momenti i shpalljes së kryepeshkopit është pritur me lot dhe emocion, ndërsa më 29 mars bëhet zyrtarizimi me një shërbesën e veçantë, fronëzimin.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësi, i lutem Krisht themeluesit të kishës të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim. Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë”, tha Imzot Joani.
Pasi Anastas Janullatos mbylli sytë përgjithmonë, Sinodi i Shenjtëe zgjodhi Joan Pelushin mbikqyrës të Mitropolitit të Tiranës, Durrësit dhe të Shqipërisë.
Ai ka lindur në Tiranë dhe në moshë të re, është konvertuar nga bektashi në ortodoks. Më pas, ka ndjekur studimet në SHBA, ka qenë drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës dhe që nga 1998 shërben në Korçë.
Në një intervistë të vitit 2013, kur është pyetur për insinuatat dhe sulmet ndaj drejtuesve të KOASH për raportet me Greqinë, At Joan Pelushi është. përgjigjur se “Vazhdimisht jemi sulmuar, shpesh pa të drejtë. Çdo ditë na vjedhin kisha dhe ne shpesh kemi heshtur. Akuzat në pjesën më të madhe ngrihen mbi bazë të thashethemeve. Në kishë nuk mësohet greqisht, siç pretendohet. Një fakt i tillë vlen vetëm për zonat minoritare, është e drejtë e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre”.
Në të shkuarën Joan Pelushi ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Me tu diplomuar në “Kryqin e Shenjtë” me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbej ne vende të tjera brenda Kishës. Ai e hirotonisi në dhjak në 27 shkurt 1994, e më pas si prift në 4 dhjetor të të njëjtit vit. Në 1995-ën une merr një të drejtë studimi edhe rikthehet në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar studime të mëtejshme. Kur u kthye në 1996-tën, caktohet si drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës, si edhe ngrihet në rangun e Arkimandritit në 19 nëntor.
Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas.
Ai ka përkthyer një numër librash në shqip:1-Mbi Shpirtin e Shenjtë, botuar më 1996.2-Besimi Ortodoks. Vëll. I Doktrina, botuar më 1997.3-Besimi Ortodoks. Vëll. II Adhurimi, botuar më 1997.4-Besimi Ortodoks. Vëll. III Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, botuar më 2000.5-Besimi Ortodoks. Vëll. IV Spiritualiteti, botuar më 2002.6-Shën Siluani, botuar më 2003.7-Dogmatika, (Dispensë) tekst mësimor në Akademinë Teologjike.8-Shenjtorët iliro-shqiptarë, (Dispensë) 9-Predikime.
Gjithashtu Mitropoliti i Korçës Joani ka botuar artikuj të shumtë në gazetën “Ngjallja”, ka referuar kumtesa nëpër simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me kujdesin e tij del ne qarkullim revista “Tempulli”.