Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari rezultojnë të zhdukur për më shumë se dy javë në qytetin e Sarandës, të cilët dyshohet se janë rrëmbyer e më pas vrarë nga persona të paidentifikuar.
Mbrëmjen e sotme gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me zhdukjen e dy 46-vjeçarëve. Gazetra u shpreh se policia po vijon hetimet për gjetjen e trupave të dy personave të zhdukur në fshatin Vrinë pasi besohet se ata mund të jenë groposur nga vrasësit e tyre në atë zonë.
Sipas saj besohet se autorët e dyshuar janë pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal, ndërsa shtoi se dy të zhdukurit kanë qenë në konflikt për çështjen e një prone, por që ka përfshirë dhe lëndë narkotike.
Ajo tregoi më tej se kur personi i njohur me nofkën “Koçolja” nuk ka marrë drogën e premtuar nga grupi ai i ka kërcënuar ata se do tregojë në polici, gjë që dyshohet se mund të ketë sjellë rrëmbimin e më pas eliminimin fizik.
“Policia vijon kërkimet për trupat e dy personave të zhdukur në fshatin Vrinë, ku besohet se ata mund të jenë groposur. Dy personat janë zhdukur në 6 prill dhe për 4 ditë familjarët nuk i kanë denoncuar pasi nuk ishte hera e parë që janë larguar. Policia ka sekuestruar deri tani 8 automjete, ku njëri është konfirmuar që është përdorur për rrëmbimin e tyre. Sulovari ka pasur armë me vete kur është takuar me mikun e tij për të sqaruar debatet me një grup kriminal për shitblerjen e një toke. Një kamerë ka kapur momentet e fundit para zhdukjes të Koçoles ku ai duket i qetë në një makinë. Besohet se janë dërguar në një fshat në kufirin Shqipëri-Greqi, dhe aty janë groposur. Asnjë pistë nuk përjashtohet për 2 personat. Autorët e dyshuar mendohet se janë dy anëtarë grupi nga Saranda dhe të tjerët janë nga veriu i vendit. Konflikti ka nisur për pronën. Është zbuluar se kur Koçolja nuk ka marrë drogën e premtuar nga grupi ai i ka kërcënuar ata se do tregojë në polici, gjë që dyshohet se mund të ketë sjellë rrëmbimin. Ka të paktën 3 persona të skeduar në pamjet filmike. Fakti që ka disa të dyshuar, ka qeliza telefonike, mjeti ku janë rrëmbyer është vjedhur në Tiranë. Dyshohet se është një grup i organizuar kriminal”, zbuloi ajo.