Zjarr masiv në Gjirokastër, flakët përfshijnë pyjet mes Andon Poçit dhe Hundëkuqit

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së dielës një sipërfaqe pyjore mes fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, në bashkinë e Gjirokastrës.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri ka dy vatra aktive të shpërndara në dy kodra të ndryshme. Terreni i vështirë malor e bën të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë flakëve, duke vështirësuar ndjeshëm operacionin e shuarjes.
Për shkak të përmasave të zjarrit, është angazhuar i gjithë efektivi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), i cili po punon intensivisht për izolimin e vatrave dhe vënien e situatës nën kontroll.
Prioritet i forcave në terren është parandalimi i përhapjes së flakëve drejt fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, të cilat rrezikohen nëse zjarri favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.
Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe hetimin e rrethanave të ngjarjes.









