Zjarr në banesë, vetëm dëme materiale

Gjirokastër – Një banesë është përfshirë nga flakët në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa persona të lënduar.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë konstatuar fillimisht zjarrin dhe kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ka sinjalizuar shërbimin zjarrfikës, i cili është nisur drejt vendngjarjes.
Tre automjete zjarrfikëse me trupat e ndërhyrjes mbërritën në pallatin ku ndodhej banesa e përfshirë nga flakët, në katin e pestë të një ndërtese në lagjen “Zinxhira”. Me mbërritjen në vendngjarje u konstatua se zjarri kishte përfshirë një pjesë të konsiderueshme të banesës.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, duke bërë izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit, me qëllim që të mos përhapej në apartamentet e tjera të pallatit.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale në orenditë shtëpiake. Në momentin e rënies së zjarrit, poseduesit e banesës nuk ndodheshin në shtëpi.
Ndërkohë, pritet që ekspertët të përcaktojnë shkaqet e rënies së zjarrit. 🚒









