AKTUALITET

Zjarret përfshijnë Fierin, 2 në pranga dhe një nën hetim: Dëme në ullishte e toka bujqësore

Fier – Zjarret që përfshinë ditët e fundit disa zona të qarkut Fier dhe shkaktuan dëme në toka bujqësore, ullishte e sipërfaqe të pyllëzuara, kanë çuar në pranga dy persona dhe në procedimin penal të një tjetri.

Policia thotë se ka identifikuar tre autorët e dyshuar për zjarrvënie në Ade, Kashisht dhe Drizë, ndërsa në disa raste flakët krijuan rrezik edhe për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, veçanërisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.

Njoftimi i policisë

Fier/Ndezën zjarre që shkaktuan dëme në toka bujqësore dhe ullishte, identifikohen 3 shtetas.
Arrestohen 2 prej tyre, tjetri procedohet në gjendje të lirë.

Pas marrjes së njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin e 3 shtetasve të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan 2 prej tyre, shtetasit: 
-P. Z., 66 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Ade, Fier;
-D. K., 62 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Kashisht, Fier.

Shtetasi D. M., 35 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë, si autor i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Drizë, Fier. 

Nga hetimet dyshohet se nga përhapja e zjarreve që kanë ndezur këta shtetas janë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte, si dhe është krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, kryesisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë. 

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button