Monday, March 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESORE10 vite nga vdekja e Sokol Olldashit! Gazetar i talentuar, politikan karizmatik...

10 vite nga vdekja e Sokol Olldashit! Gazetar i talentuar, politikan karizmatik dhe poet sharmant

Nga Albert Vataj – U bënë 10 vite prej asaj nate të kijametshme, me stuhi dhe natë të thellë, natë që vinte me vdekje dhe davaritej me një re të ngjeshur misteri. Kishte vdekur në një aksident të pretenduar, gazetari, deputeti dhe ish-ministri i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ai, miku i mirë i aq shumë njerëzve, gazetari i talentuar, ai, zëri i fuqishëm i demokratëve, ministri që u bë tmerri i grupeve kriminale, poeti penëhollë, Sokol Olldashi nuk ishte më.
Lajmi i kobshëm e mbushi atë mbrëmje realitetin shqiptarë para dhe pas mesnate, me pikëllim, lot, lajme, hipoteza dhe teori, të cilat zgjatën deri në mëngjes, për të vijuar për ditë e muaj të tëra, pa mundur të hedhin një dritë të qartë dhe të mëtonin argumente bindëse, mbi arsyen e vërtetë të kësaj vdekjeje të bujshme.

Sokol Olldashin e kam takuar për herë të parë në selinë e Partisë Demokratike, mbrëmjen e 23 dhjetor të vitit 1997, unë i gazetës i “55”, me Agron Balën e “Radio Kontakt”, Astrit Patozin e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe ai i gazetës “Albania”. E kam përcjellë tragjikisht humbjen e tij në mbrëmjen e kobshme të 20 nëntorit në gazetën “Koha Jonë”.

Ishte vonë, mbrëmje vonë, me pjesën e mbetur të stafit po i jepnin dorën e fundit numrit të ditës së nesërme. Binte shi i kijametshëm, kur i’a behu në redaksi botuesi Nikoll Lesi.
Ndodhte rrallë të vinte kur pothuajse gjithçka kishte përfunduar. Me patjetër diçka kishte ndodhur. Ne mbajtëm frymën. Ka vdekur Sokol Olldashi, tha me buzën që dridhej dhe me lot në sy! Kaq tha dhe hyri në zyrën e tij.

Fjalët e tij ranë si një shpërthim dhe heshtje në ambientet e gazetës. Ishte një natë e gjatë. Gazetarët e kronikës merrnin dhe jepnin ngado ku kishte informacion, krejtkund gjësend bëzante rreth kësaj ngjarje kaq të beftë dhe kaq tragjike. Kishte ndodhur diçka e pazakontë, diçka tronditëse, kishte vdekur Sokol Olldashi, gazetari dhe një nga veprimtarët më të zëshëm të Partisë Demokratike.

Ajo që telegrafisht thuhej dhe që kurrë nuk e besova ishte se më 20 nëntor të vitit 2013, Sokol Olldashi vdiq pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Kërrabë. Aksidenti ndodhi në mbrëmje, shkak i aksidentit ka qenë lagështia e rrugës dhe shpejtësia e lartë, me të cilën Olldashi ka udhëtuar. Makina e tij për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kthesës së pjerrët humbi kontrollin, duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

E megjithatë që pas asaj nate të gjatë dhe nxitimesh kaq të pakuptimta, Sokol Olldashi, gazetari simpatik dhe politikani konseguent, kolegu i mirë e miku me cigaren në buzë, ai të cilit mund ti besoje në gjithçka që thoshte dhe në çfarë bënte, sepse ishte një potencial njerëzor i mbushur me qëllime të mëdha dhe një zë i fuqishëm në atë kohë heshtjeje të makthshme. Ai, miku dhe kolegu, Sokol Olldashi nuk do të ishte më, siç do të mbetet mungim i pazëvendësueshëm në PD dhe në ambientet e gazetarëve, kur zëri dhe mirësia e tij linin gjurmë inkandeshente.

Çfarëdo që u tha dhe u bë, ai, Sokoli, nuk do të mund të kthehej. Vdekja e tij mbeti mister, po kaq sa dhe e pakuptimtë nxitimi për t’i gjetur një vendprehje në amshim. Edhe sot pas 10 viteve gishti tregues ka mbetur i drejtuar kah dikush apo diçka, pa mundur të bëhet dëshmues për natën fatale të fundit të një jete që i’u kushtua me mish e me shpirt, si gazetarisë, politikës, ashtu edhe poezisë.

Përjetësia është e merituar për shpirtin tënd, miku dhe kolegu i pashoq, Sokol Olldashi!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME