AKTUALITETTOP-NEWS

“20 Vjet pa rrugë dhe të braktisur – Tojgani dhe Hambari jetojnë mes Izolimit”

Cakran – Afro dy kilometra rrugë e degraduar plotësisht kanë kthyer fshatin Tojgan dhe Hambar  të njësisë administrative Cakran në një nga zonat më të izoluara të Fierit. Aksesi që lidh Hambarin me Tojganin, por që shërben si arterie jetike për 12 fshatra të tërë, prej më shumë se dy dekadash nuk ka parë asnjë metër investim.

Banorët e quajnë këtë rrugë “plagë të hapur”, e cila u ka vështirësuar jetën në çdo stinë dhe në çdo aktivitet të përditshëm.

Rrugë e prishur, fshat i bllokuar

Rruga që dikur i lidhte fshatrat mes tyre sot është gropa, baltë, pluhur dhe rrezik për çdo automjet. Në verë rruga ngrihet në re pluhuri që u futet banorëve në shtëpi e në frymëmarrje, ndërsa në dimër shndërrohet në kampe balte ku mjetet ngecin për orë të tëra. Prej më shumë se 20 vitesh, asnjë investim, asnjë ndërhyrje, asnjë planifikim nuk ka sjellë zgjidhje.

Banorët thonë se fëmijët shpesh nuk arrijnë të shkojnë në shkollë, sepse rruga është e pakalueshme, me gropa, me ujë dhe baltë. Fëmijët bien në tokë, njomen e bëhen pisë me baltë .

Vetë drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të riparojnë makinat pothuajse çdo muaj, ndërsa kostot u kanë rënduar ekonomikisht. Më problematike mbetet transporti i prodhimeve bujqësore, burimi kryesor i të ardhurave të zonës, i cili shpesh vonohet apo mbetet i pamundur për shkak të amortizimit të rrugës.

Për 2 kilometra rrugë, banorët detyrohen të bëjnë 15 kilometra

Situata është aq absurde sa për të shkuar në lagjen e fundit të Tojganit, banorët detyrohen të devijojnë nga rrugë të tjera, duke bërë deri në 15 kilometra rrugë vetëm e vetëm që të shmangin segmentin e shkatërruar. Familjarët që duan të vizitojnë të afërmit në fund të fshatit duhet të rrethojnë zonën duke kaluar nëpër fshatra të tjerë, situatë që banorët e quajnë “poshtëruese dhe të papranueshme në vitin 2025”.

Investimi i FShZh: 300 metra çakull që s’i shërbejnë askujt

Sipas banorëve, i vetmi investim i kryer deri më sot është shtrimi i rreth 300 metrave rrugë me çakull nga FShZh. Një ndërhyrje që banorët e konsiderojnë të pavlerë dhe të shkëputur nga problematika reale. Rruga u shtrua vetëm në hyrje të fshatit, aty ku nuk kalon askush dhe nuk ndihmon as qarkullimin dhe as transportin.

FShZh bëri me rrugë katër familje në fshatin Tojkan duke ja shtruar para banesave gabimisht, por pas investinit “korigjoi shënjestër” duke shtruar rrugën kryesore por duke e lënë në mes.
“Ajo është bërë thjesht për të thënë se u bë diçka”, shprehen banorët, të cilët theksojnë se segmenti që ka nevojë urgjente për ndërhyrje është pikërisht ai që u lidh jetën e tyre me pjesën tjetër të zonës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente

Tojgani dhe Hambari sot ndodhen në një situatë të mjerueshme infrastrukturore. Banorët u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe qendrore të ndërhyjnë sa më shpejt, duke e cilësuar rrugën si “shpëtim ekonomik, social dhe human”.
“Dua vetëm që fëmijët e mi të mos eci në baltë deri në gju për të shkuar në shkollë”, shprehet një nënë e fshatit, ndërsa një tjetër banor shton: “Po na ikën rinia, po na shuhen shtëpitë. Pa rrugë, fshati vdes.”

Fshati Hambar dhe Tojgan kanë dhe tre vende të shenjtë apo “vende të mira ku frekuentohen shumë jo vetëm nga banorë të zonës por edhe të tjerë nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Turistë vijnë në verë e shkojnë në brigje të lumit Vjosë pasi Vjosa është shpallur Park Kombëtar.

Problemi është parë nga afër edhe nga deputetia e PL Brunilda Haxhiu e cila është përfaqësuese e qarkut Fier. Ajo u prentoi banorëve se do e ngrei zërin në Parlament derisa Qeveria ti japi zgjidhje problemit thelbësor të tyre.

Prej 20 vjetësh, kjo rrugë ka mbetur peng i premtimeve dhe i harresës. Ndërsa banorët e Tojganit vazhdojnë të jetojnë në izolim, zgjidhja e vetme mbetet ndërhyrja e menjëhershme dhe investimi serioz në rehabilitimin e saj./ ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button