4 pyetje dhe 1 këshillë për të gjykuar premtimet elektorale

Nga Neritan Sejamini – “Mësimi i parë që mësohet në ekonomi është se burimet janë të pamjaftueshme. Mësimi i parë që mësohet në politikë është të injorosh mësimin e parë të ekonomisë.” Si për të vërtetuar këtë thënie, qytetarët po bombardohen në këtë prag zgjedhjesh me premtime e ‘programe’ për të ‘ndryshuar’ Shqipërinë. Çdokujt po i premtohet çdo gjë: Nga futja menjëherë në BE tek para për të lindur bebe e shkollë të lartë pa mësuar fare në të mesmen.
Votuesit tani duhet të dallojnë dëshirat nga ekspertiza dhe realitetin nga propaganda. 4 pyetje bazike mund të ndihmojnë për të gjykuar më mirë premtimet e programet zgjedhore. Ato reflektojnë mendimet e disa ekonomistëve dhe ekspertëve më të mirë të politikave publike në botë.
1. Çfarë problemi po zgjidhim?
Politikanët kanë prirjen të ‘zgjidhin’ çdo problem që mund t’u sjellë vota, edhe problemet që nuk i kuptojnë edhe problemet që nuk ekzistojnë. Ndonjëherë, ata sajojnë ‘probleme’ të qytetarëve për interesa klienteliste.
Një pyetje e thjeshtë ndihmon për në këto raste: çfarë problemi po zgjidh propozimi? Si është përcaktuar ky problem? Çfarë faktesh apo të dhënash e dëshmojnë atë?
Qeveria ka përjashtuar nga taksat kompanitë që ndërtojnë hotele me pesë yje, por nuk ka shpjeguar se çfarë problemi po zgjidh me këtë shtyrje. Partia Demokratike sapo ka propozuar heqjen e mesatares për pranimet në universitete dhe prapë nuk kuptohet se çfarë problemi është duke zgjidhur.
Edhe pas një dekade nga nisja e kontrollit të përgjithshëm shëndetësor (i njohur si check-up), ende nuk është e qartë se cili problem po zgjidhet me këtë shpenzim të madh nga buxheti i shtetit. A ishte qëllimi zbulimi i hershëm i sëmundjeve, duke qenë se jemi më keq se vendet e tjera të Europës? Nëse po, nuk ka asnjë të dhënë të publikuar që mbështet këtë arsye. Apo po bëhet për të ulur kostot e larta të trajtimit kur sëmundjet diagnostikohen me vonesë? As për këtë nuk ka transparencë—ndërkohë që është fakt se Shqipëria shpenzon më pak për shëndetësinë se shumica e vendeve europiane. Pa përcaktuar qartë problemin, mbetet e paqartë nëse programi është i dobishëm apo i panevojshëm.
2. Me çfarë kosto?
Premtime të mëdha si ulja e taksave, rritja e pagave, pensioneve dhe subvencioneve tingëllojnë tërheqëse, por a janë ato vërtet të bëshme? Jo të gjitha mund të realizohen, sepse nuk ka para për gjithçka. Propozimet pa një analizë të qartë financiare mbeten thjesht dëshira politike.
Për të ndarë dëshirat nga realiteti, pyetja bazë është: Me çfarë kosto?
Më tej: Si është vlerësuar kostoja? A mund të ketë kosto të fshehura apo indirekte që janë injoruar?
Opozita premton ulje të taksave, por nuk shpjegon sa do të ulen të ardhurat në buxhet dhe si do të mbulohet ky deficit. Po rritja e pensioneve—sa do të kushtojë dhe nga do të sigurohen këto para?
Nga ana tjetër, qeveria shpall projekte madhore duke deklaruar se nuk do të kenë asnjë kosto publike, por realiteti shpesh rezulton ndryshe. Koncesioni i aeroportit të Vlorës thuhet se nuk do t’i kushtojë shtetit asgjë, por në kontratë qeveria është angazhuar të kompensojë kompaninë koncesionare nëse aeroporti nuk arrin një numër të caktuar pasagjerësh.
Po ashtu, qeveria dha tokën e portit të Durrësit për zhvillim privat pa bërë një vlerësim të qartë të kostos që kjo tokë kishte për publikun. Ndërkohë ajo pohoi se porti i ri do të ndërtohej pa kosto për shtetin, përmes një koncesioni, ndërsa tani e dimë se do na kushtojë mbi gjysmë miliardë euro e ndoshta më shumë.
3. A e zgjidh vërtet problemin?
Politikat publike shpesh nuk zgjidhin gjë. Jo rrallë ato i bëjnë gjërat më keq se më parë.
Në disa raste nuk mund të ketë zgjidhje efektive dhe qasja më e mençur është kontrolli i dëmeve të problemit.
Prandaj, duhet pyetur: A e zgjidh vërtet problemin politika e propozuar? Nga e dimë që ajo do të funksionojë?
Politikat efektive zakonisht mbështeten në përvoja të mëparshme apo modele të provuara; politikat e dështuara mbështeten vetëm në qëllime (të mira) apo frymëzime ideologjike.
Politikat duhen gjykuar nga rezultatet në praktikë dhe jo nga synimet në letër. Rezultatet varen vetëm nga mënyra si politikat ndryshojnë sjelljen e njerëzve, nga stimujt dhe motivimet që politika krijon tek njerëzit.
Heqja e mesatares së pranimit në universitetet publike dhe lejimi i universiteteve private fitimprurëse nuk e përmirësoi arsimin dhe dijen—por e ktheu arsimin e lartë në biznes diplomash të pavlera dhe zyrtarizim të injorancës.
Ligji i legalizimeve u bë me qëllimin për të çliruar kapitalet e vdekura duke i ligjëruar ndërtimeve pa leje dhe futur ato në treg. Por në vend të formalizonte tregun e ndërtimeve, kjo politikë nxiti një formë të re paligjshmërie: për ndërtuesit u bë e lehtë të shtonin pa leje sipërfaqen e ndërtimeve dhe pastaj ta legalizonin atë. Pallatet me leje 10 kate, sipas standardeve urbanistike, përfunduan me 15 kate duke shkelur standardet urbane me kosto minimale për ndërtuesit.
Kur u miratua vetingu në drejtësi, nuk u parashikua se një numër i madh gjyqtarësh do jepnin menjëherë dorëheqjen për të shmangur vetingun, duke sjellë mungesa të menjëhershme në sistem. Këto mungesa u disafishuan me nivelin fillestar shumë të lartë të shkarkimeve nga (mbi 60 përqind), edhe kjo e paparashikuar. Akoma më keq, hartuesit e reformës nuk kishin parashikuar rritjen e njëkohshme të kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës për të plotësuar vendet bosh.
4. Çfarë sakrifikohet?
Asnjë qeveri nuk ka burime të mjaftueshme për të investuar në zgjidhjen e çdo problemi me të cilën ndeshen njerëzit. Politikanët preferojnë të thonë se kanë zgjidhje për çdo gjë duke injoruar realitetin thelbësor të qeverisjes: nuk ka zgjidhje të plota, por vetëm shkëmbim të një problemi me një tjetër.
Çdo politikë publike sjell përfitime për një grup, por gjithmonë në kurriz të një tjetri. Nuk ka asnjë masë që t’i bëjë të gjithë më mirë njëkohësisht—çdo përmirësim diku do të thotë përkeqësim diku tjetër.
Për të financuar portin e ri në Porto Romano do duhet të sakrifikohen investime të tjera, si rritja e fondeve për shëndetësinë dhe arsimin. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt qindra mijëra qytetarë që kanë prioritet arsimin apo shëndetësinë.
Premtimet për rritjen e pensioneve duken tërheqëse, por për të siguruar qindra miliona euro shtesë do duhet të shkurtohen subvencionet për bujqësinë apo investimet në infrastrukturë. Kjo mund të dëmtojë zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe mundësitë e punësimit.
Prandaj, për të vlerësuar me realizëm një politikë, duhet bërë gjithmonë pyetja:
Kush përfiton dhe kush humbet nga kjo politikë? Cili problem po zgjidhet dhe cili problem tjetër po injorohet?
Qeverisje do të thotë vendosje prioritetesh. Qeveritë e mira analizojnë të gjitha nevojat apo problemet dhe vendosin prioritetin tek ato që kanë ndikimin më të madh në mirëqenien e njerëzve dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe të vendit.
5. Një këshillë
Në fund, një këshillë e thjeshtë: kujdes nga premtimet që zgjidhin çdo problem me një të rënë të lapsit.
Problemet me të cilat ndeshet Shqipëria janë të ndërlikuara, të vështira dhe nuk mund të zgjidhen as me një masë të vetme, as me një reformë të thjeshtë. Nuk mund të zgjidhen as menjëherë e nuk mund të zgjidhen as nga një udhëheqës i vetëm, sado i gjithëditur. Ato kërkojnë përpjekje të vazhdueshme, për një kohë të gjatë dhe nga shumë njerëz në politikë dhe jashtë saj.
Neritan Sejamini, New Policy Group