59 grabitje dhe 3 milionë paund dëme: dënohet banda shqiptare në Angli

Një bandë kriminale shqiptare është dënuar me burg pasi përdori platformën online të pronave Rightmove për të identifikuar dhe shënjestruar shtëpi luksoze për grabitje në Britaninë e Madhe.
Grupi prej gjashtë personash, i përfshirë në të paktën 59 vjedhje në zonën e Cheshire-it lindor, arriti të përvetësojë bizhuteri dhe mallra firmato me vlerë deri në 3 milionë paund. Ata përdornin shkallë për të hyrë në dritare dhe ballkone të kateve të para, duke synuar prona të izoluara pranë zonave rurale ose pyjore për të lehtësuar arratisjen.
Hetimet zbuluan se anëtari i bandës, Endrit Nikolli, kishte krijuar një lidhje me britaniken Jade Tubb, e cila e kishte krahasuar çiftin me dyshen famëkeqe Bonnie and Clyde.
Operacioni kriminal përfshinte gjithashtu Kristian Gropcaj (30 vjeç), George Pepa (31 vjeç), Krisjian Dedndreaj (28 vjeç) dhe Sidorjan Lleshi (26 vjeç).
Sipas gjykatësit Patrick Thompson, pronat u zgjodhën me kujdes për shkak të mundësisë së lartë për sende me vlerë. Ai theksoi se grabitjet ndodhnin gjatë natës, shpesh me banorët brenda, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe trauma psikologjike, veçanërisht tek fëmijët.
Hetimi u zhvillua nga disa forca policore britanike që nga tetori 2024, përfshirë Cheshire Police, në bashkëpunim me Derbyshire Police, Nottinghamshire Police dhe Staffordshire Police.
Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan dhjetëra sende luksoze, përfshirë 13 çanta firmato dhe 14 ora dore, si dhe telefona celularë që përmbanin qindra fotografi të sendeve të vjedhura.
Sipas kryeinspektorit Dave Worthington, banda përdorte Google dhe Rightmove për të analizuar planimetrinë e pronave dhe për të zgjedhur objektivat më të përshtatshme.
Në përfundim të procesit:
• Gropcaj u dënua me 10 vjet burg
• Dedndreaj dhe Pepa me nga 9 vjet burg secili
• Lleshi me 10 vjet e 9 muaj burg
• Tubb mori një dënim me 1 vit burg, të pezulluar për 2 vjet
Autoritetet britanike kanë bërë thirrje publike për identifikimin e pronarëve të sendeve të shumta të dyshuara të vjedhura, pasi besohet se një pjesë e madhe e tyre është shitur.









