65 raste të kancerit të gjirit në Fier, mjekët apelojnë për kontrolle të hershme, të prekur edhe 3 meshkuj

Fier – Rastet e kancerit të gjirit te gratë në Fier vijojnë të jenë një shqetësim, ndërsa mjekët apelojnë për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim sa më të hershëm të sëmundjes.
Sipas mjekes onkologe Anisa Mone, në fazat e para kanceri i gjirit mund të mos shfaqë shenja të dukshme klinike. Vetëm në muajin shtator u zbuluan 5 raste të reja te gratë. Për këtë vit janë 65 raste dhe 3 raste te meshkujt që janë prekur me kancerin e gjirit, ndërkohë që për këtë vit deri tani janë zbuluar afro 400 persona të prekur me lloje kanceri.
“Shenjat klinike në fazat e hershme mund të jenë të pakta. Vetëm një ekzaminim i kujdesshëm, mamografia apo edhe vetëkontrolli mund ta zbulojnë sëmundjen në fazat e hershme. Në momentin që pacientja ka vënë re një ndryshim në trupin e saj, fatkeqësisht sëmundja mund të jetë në faza më të avancuara. Ndaj apeli është: sa më herët të kryhet një kontroll, aq më shumë mundësi ka për të shpëtuar një jetë”, shprehet mjekja.
Interesi për kontrollet është rritur vitet e fundit.
Ekzaminimet janë kryer në qendrat shëndetësore në të gjithë qarkun e Fierit, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar kryerjes së ekografisë dhe mamografisë, shprehet mjekja Anisa Mone.
Për t’iu përgjigjur kërkesës, janë zgjeruar edhe oraret e mamografisë, duke u ofruar shërbim grave deri në orët e mbrëmjes.
Një tjetër shqetësim është edhe shfaqja e rasteve të kancerit të gjirit te meshkujt. Aktualisht, në Fier janë diagnostikuar tre meshkuj me kancer gjiri. Mjekët vlerësojnë se edhe te burrat duhet të rritet ndërgjegjësimi, pasi shpesh kontrolli kryhet vetëm pasi shfaqen shenja klinike.
Mesazhi i mjekes për gratë dhe vajzat është i qartë: mos prisni të shfaqen shenjat e para. Një kontroll i thjeshtë dhe i kryer në kohë mund të shpëtojë një jetë. /ALB365








