SHËNDET

7 mijë hapa në ditë mjaftojnë për të mbrojtur trurin dhe zemrën

Nuk keni nevojë të ecni 10 mijë hapa në ditë për të qenë të shëndetshëm. Një studim i ri i publikuar në The Lancet Public Health tregon se ecja me 7 mijë hapa në ditë është mëse e mjaftueshme për të përmirësuar shëndetin e trurit, për të mbrojtur zemrën dhe për të reduktuar rrezikun nga disa sëmundje të rënda.

Sipas studiuesve, 7 mijë hapa në ditë lidhen me:

25% më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare

38% më pak rrezik për demencë

6% më pak rrezik për kancer

22% më pak rrezik për depresion

Autorja kryesore e studimit, Dr. Melody Ding, thekson se ideja e 10 mijë hapave nuk është shkencore, por vjen nga një fushatë marketingu japoneze në vitet ’60 që promovonte një pedometër të quajtur manpo-kei, që do të thotë “matës i 10 mijë hapave”.

Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 160 mijë të rriturve nga e gjithë bota dhe zbuluan se përfitimet shëndetësore nisin që me 4 mijë hapa në ditë, por arrijnë maksimumin rreth 7 mijë. Mbi këtë shifër, përfitimet për shëndetin e përgjithshëm qëndrojnë të qëndrueshme, edhe pse zemra mund të përfitojë më shumë nga aktiviteti i shtuar.

Më mirë pak, se aspak

Ekspertët theksojnë se edhe ata që ecin më pak, por janë aktivë, marrin përfitime. Dr. Andrew Scott nga Universiteti i Portsmouth thotë se nuk ka një shifër “magjike”.

“Çdo hap i shtuar ka vlerë. Më mirë të bësh 5 mijë se 2 mijë hapa. Nuk duhet të stresohesh për shifra të caktuara”, tha a.

Nga ana tjetër, mjeku britanik Azeem Majeed thotë se për personat e moshuar ose ata me probleme kronike, edhe një numër më i ulët hapash mund të sjellë përmirësime, duke përfshirë edhe aktivitete si pastrimi apo puna në kopsht si pjesë të aktivitetit fizik të përditshëm.

Mesazhi i studimit është i qartë: nuk ka nevojë të ndjekim “mitin” e 10 mijë hapave. 7 mijë mjaftojnë për ta mbajtur trupin dhe mendjen në formë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button