Që nga vitet 1990, përdorimi i antidepresantëve është rritur sëbashku me teorinë se ilaçet balancojnë nivelet e kimikateve në tru. Studimet e reja sugjerojnë se në fakt depresioni nuk shkaktohet nga nivelet e ulëta të serotoninës. Depresioni mund të lidhet më fort me ngjarjet negative të jetës.
“Mund të themi me siguri se pas një sasie të madhe kërkimesh të kryera gjatë disa dekadave, nuk ka asnjë provë bindëse që depresioni shkaktohet nga nivelet e ulëta ose aktiviteti i reduktuar i serotoninës”,- tha autorja kryesore e këtij studimi Joanna Moncrieff, profesoreshë e psikiatrisë në Kolegjin Universiar të Anglisë.
Studiuesit shqyrtuan studimet e kryera mbi serotoninën dhe depresionin. Ata nuk gjetën asnjë ndryshim në nivelet midis mijëra njerëzve të diagnostikuar me këtë gjendje dhe pjesëmarrësve të shëndetshëm. Autorët shqyrtuan studimet ku nivelet e serotoninës u ulën artificialisht në qindra pjesmarrës. Ata zbuluan se kjo nuk i futi individët në gjendje depresive.
As tek njerëzit që kishin variacione në genin që mundëson transportin e serotoninës, nuk u pa asnjë ndryshim në nivelet e depresionit. Në të kundërt, u vu re se ngjarjet stresuese të jetës ushtrojnë një efekt të fortë në rrezikun e njerëzve për të rënë në depresion.
Sa më shumë ngjarje stresuese të ketë përjetuar një person, aq më shumë ka gjasa të jetë në depresion. Studiuesit thonë se gjetjet e tyre janë të rëndësishme pasi studimet tregojnë se 85-90% e njerëzve, besojnë se depresioni shkaktohet nga niveli i ulët i serotoninës ose i një çekuilibri kimik në tru.
Ekzistojnë prova që tregojnë se të besosh se humori i keq shkaktohet nga një çekuilibër kimik, i bën njerëzit të kenë një pikëpamje pesimiste për mundësinë e rikuperimit dhe mundësinë e menaxhimit të gjendjes shpirtërore edhe pa ndihmë mjekësore.