“Taksat i paguajmë, rrugën e shtrojmë vetë”/ Banorët e Kreshpanit nxjerrin paratë nga xhepi, por policia u ndërpret punimet (foto e video)

FIER – Prej vitesh paguajnë taksat, por thonë se nuk shohin investime në lagjet e tyre. Përballë rrugëve të amortizuara, mungesës së ndriçimit publik, gjelbërimit dhe problemeve me furnizimin me ujë, banorët e lagjeve Xhemaj dhe Myrtaj, në fshatin Kreshpan të Njësisë Administrative Cakran, kanë vendosur të marrin vetë iniciativën për të përmirësuar kushtet e jetesës. Ata kanë mbledhur para nga familjet dhe kanë nisur të shtrojnë me kontributet e tyre rrugën kryesore, por, sipas tyre, ndërhyrja e policisë i ka ndaluar punimet, me argumentin se po kryhej një ndërtim i paligjshëm.
“Ku shkojnë taksat tona?” është pyetja që banorët ngrenë ndaj institucioneve përgjegjëse, ndërsa përballen çdo ditë me problematika që, sipas tyre, kanë mbetur të pazgjidhura prej vitesh.
Rrugë të pashtruara dhe mungesë e shërbimeve bazë
Në lagjet Xhemaj dhe Myrtaj, banorët thonë se infrastruktura mbetet një nga shqetësimet kryesore të komunitetit. Rrugët e pashtruara, mungesa e ndriçimit publik dhe e hapësirave të gjelbëruara janë disa prej problemeve që ata rendisin, ndërsa furnizimi me ujë në banesa është një tjetër çështje për të cilën kërkojnë zgjidhje.
Rrjeti i ujësjellësit është shtrirë, me depon kryesore nuk.është.lidhur, me matësat e familjet ende pa u lidhur që do të thotë.ende nuk kemi ujë, tubot janë lënë në mëshirë të fatit.




Sipas banorëve, pavarësisht se kanë paguar rregullisht taksat vendore dhe detyrimet për tokën, investimet e pritshme nuk janë realizuar. Ata shprehen se kjo situatë ka vijuar për vite me radhë, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve që jetojnë në këto dy lagje.
Për ta, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e asfaltit. Bëhet fjalë për shërbime bazë që, sipas tyre, duhet të garantohen nga institucionet përgjegjëse dhe që ndikojnë në lëvizjen, sigurinë dhe cilësinë e jetesës së banorëve.
Premtime ndër vite, por banorët thonë se investimet mungojnë
Banorët tregojnë se janë ankuar disa herë pranë Njësisë Administrative Cakran, duke kërkuar sistemimin e rrugëve kryesore që lidhin lagjet Xhemaj dhe Myrtaj. Sipas tyre, premtime për ndërhyrje nuk kanë munguar, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, por deri më tani ata nuk shohin një zgjidhje konkrete.
Të zhgënjyer nga ajo që e konsiderojnë mungesë reagimi institucional, banorët thonë se kanë vendosur të mos presin më dhe të kontribuojnë vetë financiarisht për të përmirësuar rrugën ku kalojnë çdo ditë.



Çdo familje kontribuoi deri në 200 mijë lekë të vjetra
Për të bërë të mundur shtrimin e rrugës kryesore, familjet e këtyre lagjeve kanë kontribuar me shuma që, sipas banorëve, variojnë nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra për familje.
Paratë janë mbledhur nga vetë komuniteti, me synimin për të përmirësuar kalueshmërinë në rrugë dhe për të lehtësuar lëvizjen e banorëve. Një nismë që, sipas tyre, lindi nga nevoja për të zgjidhur një problem të lënë pezull prej vitesh.
Por ajo që banorët e konsiderojnë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën e zonës, është përballur me një pengesë të re.
Policia ndërhyn dhe ndalon punimet
Sipas banorëve, kur ata po punonin për shtrimin e rrugës kryesore me material bituminoz, ka ndërhyrë policia dhe i ka ndaluar punimet, duke argumentuar se bëhej fjalë për një ndërtim të paligjshëm.
Ndërhyrja ka shtuar pakënaqësinë e banorëve, të cilët pyesin se si mund të zgjidhet një problem që, sipas tyre, institucionet nuk e kanë trajtuar prej vitesh, ndërkohë që edhe përpjekja e tyre për të investuar me paratë e veta është ndaluar.
Çështja që shtrohet tashmë është se cilat janë procedurat dhe lejet e nevojshme për ndërhyrjen në këtë rrugë, si dhe nëse institucionet përgjegjëse kanë një plan konkret për sistemimin e saj.
Për këtë situatë nevojitet edhe një qëndrim zyrtar nga autoritetet përkatëse, në mënyrë që të sqarohet baza e ndalimit të punimeve dhe mundësia për të gjetur një zgjidhje ligjore që u përgjigjet nevojave të komunitetit.




“Ujë nuk kemi, rrugë nuk kemi, por taksat i paguajmë”
Pakënaqësia e banorëve përmblidhet në një pyetje që ata ia drejtojnë institucioneve: ku shkojnë taksat që paguajnë çdo vit?
“Ujë nuk kemi, por faturat e ujit duhet t’i paguajmë. Rrugë nuk kemi, ndriçim nuk kemi, gjelbërim nuk kemi, por taksat i paguajmë rregullisht. Ku shkojnë taksat tona?”, shprehen banorët.
Përmes shqetësimeve të tyre, ata kërkojnë që pagesat dhe detyrimet që përmbushin të shoqërohen me shërbime dhe investime konkrete. Sipas tyre, nuk mund të vazhdojnë të përballen me mungesën e infrastrukturës, ndërkohë që përpjekjet për të ndërhyrë vetë ndeshen me pengesa.
Banorët e Xhemajt dhe Myrtajt kërkojnë nga Njësia Administrative Cakran dhe institucionet e tjera përgjegjëse të marrin masa për sistemimin e rrugës, përmirësimin e ndriçimit publik dhe zgjidhjen e problematikave që lidhen me furnizimin me ujë.
Për komunitetin e Kreshpanit, pyetja mbetet e njëjtë: nëse taksat paguhen rregullisht, kur do të kthehen ato në investime dhe shërbime për banorët?/ ALB365/ Xhemil Beharaj












