Nga: Mentor Kikia
Gushti duhej të ishte një muaj pushimi pakashumë, por mesaduket vapa ndikoi për tia rritur më shumë temperaturën politikës, e cila lajmëron një vjeshtë plot stuhi. Ilir Meta, që ka zbritur plot energji nga froni i presidentit, deklaroi se do të jetë një shtator ferri për Edi Ramën. Ndrësa Berisha kishte njoftuar me herët vijimin e serisë së protestave të inauguruara në 7 korrik. Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për sezone të nxehta politike dhe për as politikë konfliktuale. Kjo e jona ka qenë përherë e tillë. Por duket se sezoni i ri do të jetë edhe më i nxehtë se ajo që tashmë është shndërruar në normalitet. Ai pritet jetë jo vetëm agresiv, por edhe përtej atij që mund që konsiderohet si moral i politikës.
Nuk do të jetë vetëm një valë denoncimesh për korrupsion ndaj qeverisë, me në krye aferën e inceneratorëve. Ilir Meta foli me një gjuhë gati rruge, duke thënë se “si çun pazari, do ti binte dhe do të thyente në mes çunin e Kristaqit”. Ndërsa mazhoranca, nuk priti shtatorin, por për shkak të “emergjencës së madhe” punoi që në korrik për të përgatitur projektligjin(në mos e kishin bërë gati më herët), për ti mundësuar Autoritetit të Dosjeve rivlerësimin e figurave politike që kanë kaluar më parë komisionet e verifikimit, për të zbuluar politikanin e lartë I.M. Kjo u pasua nga një tjetër autorizim i Kuvendit për këtë institucion, për të lejuar publikimin online të emrave të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që Autoriteti vlerëson se duhen publikuar.
Me dy “non grata” në qafë, Berisha duket një rrezik i vogël për Ramën, i cili duket i trembur më shumë nga sa mendohej nga Meta, derisa angazhoi institucionet shtetërore që ta nxjerrë jashtë loje, në mënyra të tjera. Berisha me “non grata” dhe Meta me dosje, do të jenë një opozitë jo e besueshme, si nga publiku ashtu dhe nga ndërkombëtarët.
Qeveria nuk është në pozitë aspak të mirë me skandalet që pasojnë njëri-tjetrin, ndaj lista me emrat e ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit që do të vendosë të publikoje Autoriteti i Dosjeve(jo të gjithë, kuptohet), do të jenë një sport i mirë për të agazhuar vëmendjen e publikut, disa fish më shumë se exeli i pagave. Loja me sigurimsa do të jetë, padyshim, më argëtuese se sa loja me inceneratorë.
Kjo vjeshtë nuk do të jetë thjeshtë një stinë e re lufte politike, por një luftë për jetë a vdekje mes tre politikanëve. Mazhoranca dhe opozita nuk do të luftojnë tani me programe më të mira ekonomike dhe alternativa qeverisëse, por do të futen në ringun e një sporti, ku fiton ai që mbetet gjallë.
Pas tri dekadash post diktaturë, politika ka hyrë në një fazë ku nuk do të kemi një fushtë politike dhe elektorale mes tri partish, por një luftë ku do të ndeshen personalisht tre njerëz. Sikur të dilnin të tre të humbur? Ndoshta, për herë të parë “spektatori” do të ketë një mundësi të artë.