Ç’mu desh shkolla, më mirë të rrija në kopësht me lodra.

Nga Artan Fuga – Nuk kuptova asgjë nga shkolla. Vetëm përsërisja si papagall.
M’u deshën 50 vjet të mbaroja gjimnazin!
Prandaj kur deshën të më thërrisnin si gjoja “person publik” (i vetshpallur) në shkollën e mesme për t’iu folur nxënësve të sotëm, u thashë :
Mua mo?
Unë si kam hyrë ashtu dola!
Në shkollën e mesme nuk kuptova asgjë nga astronomia veç përmendja kot emra yllësish. Astronominë e kuptova duke lexuar Xhordano Brunon!
Nga numrat e arithmetikës a algjebrës nuk mora vesh hiç fare gjë, veç tabelës së shumëzimit pa kuptuar se përse ta zemë 1+1 = 100 – 98. Numrat i kuptova kur lexova logjicienë të matematiikës si Frege me shokë.
As nga biologjia nuk mora vesh ndonjë gjë dhe kujtoja se njeriu erdhi nga majmuni. M’u desh të lexoja Darvinin të kuptoja evolucionin e specieve.
Në fizikë nuk dija veçse përmendësh se pesha e një trupi që zhytet në ujë është e barabartë më duket me vëllimin e ujit shumëzuar me densitetin e tij. Njutonin m’u desh të lexoja të kuptoja të paktën mekanikën.
Në shkollën e mesme seç më thoshin ca budalliqe se teoria e relativitetit zbuloi se kur dy vëllezër njeri që udhëton tjetri që rri në vend, nga binjakë bëhen njëri plak tjetri i ri. Relativitetin dhe fizikën e kuanteve e kuptova disi duke lexuar Heisenbergun, etj.
Dhe më thonë ki respekt për shkollën!
Nuk di se ç’kuptojnë të rinjtë sot nga tekstet e shkollës së mesme, por kur i pyes atë ngrenë supet. Nuk mbajnë asgjë.
As unë tani kur lexoj tekstet e shkollës së mesme në filozofi nuk kuptoj asgjë çfarë thonë,
të letërsisë më bëjnë të qesh,
të Qytetarisë më kallin frikën se mos më çojnë përsëri të ujis ullinj në Petrelë,
kur lexoj historinë më vjen të bërtas nga manipulimet.
Më duket sikur më heqin dhëmballët e pjekurisë!
Një tmerr i vërtetë.
Dhe shoh në televizor një grua që bërtet pa kuptuar se çfarë flet! I duket se mishëron dijen!
Kanë të drejtë të rinjtë që braktisin shkollën!
Me ato tekste unë do pëlqeja të isha analfabet!
Ose të filloja të luaja me lodra duke këmbëngulur të rrija në çerdhe!











