Ergys Agasi në observim në burgun e Fierit, Veliaj në të njëjtin sektor – kushtet e qëndrimit dhe takimet me familjarët

Fier – Ergys Agasi, i cili mbërriti më 29 tetor 2026 në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, nën statusin e të paraburgosurit, në kuadër të çështjes penale që lidhet me akuzat për AKSHI-n, është akomoduar fillimisht në sektorin e observimit.
Sipas burimeve kofidenciale nga burgu i Fierit, Agasi ndodhet në pritje të përfundimit të procedurave të parashikuara nga institucioni, përmes Komisionit të Pritjes, i cili kryen vlerësimin fillestar të çdo personi që mbërrin në institucion.
Gjatë kësaj procedure, sektorët përgjegjës zhvillojnë intervista dhe marrin informacion mbi situatën personale të të paraburgosurit, konfliktet e mundshme me persona të tjerë në institucion, gjendjen shëndetësore, si dhe statusin juridik.
Pas përfundimit të vlerësimit nga Komisioni i Pritjes, përcaktohet sektori ku do të akomodohet i paraburgosuri, duke marrë në konsideratë të dhënat e administruara dhe kriteret e sigurisë.
Ndërkohë, edhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vijon të qëndrojë në sektorin e observimit në burgun e sigurisë së lartë në Fier, në të njëjtin sektor ku është akomoduar fillimisht edhe Agasi.
Sipas informacioneve, Veliaj po qëndron në kushte normale, me krevat dhe çarçafë të rinj. Ai ka konsumuar vaktet ushqimore të ofruara nga institucioni, ka zhvilluar takime me familjarët dhe po e kalon një pjesë të kohës duke lexuar libra.
Qëndrimi në sektorin e observimit është pjesë e procedurave të pritjes dhe vlerësimit që kryhen nga strukturat përgjegjëse të institucionit, përpara përcaktimit të vendosjes përfundimtare të të paraburgosurve.








