I tronditur nga vrasja e tmerrshme e Xhani Topallit në Rodos të Greqisë, vëllai i tij, Kristo u tha medieve vendase bëhet fjalë për një “krim të paramenduar”.
Ai shprehet se që nga dita e parë e zhdukjes së vëllait të shtunën e 28 gushtit, ishte i bindur se diçka e keqe i kishte ndodhur, pasi dinte gjithçka për debatet mbi një borxh prej 100 mijë eurosh që kishte me hotelierin grek.
“Të gjithë jemi në zi për humbjen e Xhanit. Fatkeqësisht, që në momentin e parë që i humbën gjurmët, kuptuam se i kishte ndodhur diçka e keqe.
Vëllai im ishte një njeri i mirëfilltë profesionist dhe familjar. Të gjithë këtu në Falirak e njihnin dhe e donin. Dija gjithçka për borxhet e tij me hotelierin grek” – tha vëllai.
“Ky person është arrestuar së bashku me djalin e tij pasi kanë bërë atë që kanë bërë bashkë. Ai kishte 3 vjet që tallte Xhanin për paratë që i kishte borxh. Dy krahët e hotelit të tij u ndërtuan nga viktima duke paguar vetë pothuajse të gjithë stafin. Tjetri i premtoi se do t’i jepte pak nga pak këto para” – thotë avokati i familjes së viktimës.
Për paratë që i detyrohej Topalit, hoteleri grek kishte firmosur edhe një dokument njohjeje borxhi para avokatit.
“2 vite më parë erdhën edhe në zyrën time dhe u firmos njohja e borxhit. Hotelieri kishte firmosur se i kishte borxh 100 mijë euro. 4 ditë para vrasjes së Xhanit e kisha takuar dhe e kisha pyetur për këtë.
Në fakt, viktima më tha se hoteleri i kishte dhënë “ca qindarka” apo rreth 2000 euro. Në dëshminë e tij, hoteleri ka gënjyer se e ka paguar dhe i ka dhënë 15 mijë euro shtesë. Ky ka qenë edhe gabimi që ka bërë, pasi u ngritën dyshimet e familjes” – tha avokati që flet për një krim të paramenduar.
“Alibia e tij u rrëzua dhe ra nga kontradikta në kontradiktë. Xhani ishte një person i shkëlqyer, familjar i mirëfilltë dhe nuk i detyrohej askujt. Ai nuk e meritonte këtë fund.
Nga sa dëgjojmë dhe lexojmë bëhet fjalë për një krim të paramenduar nga hotelieri dhe djali i tij. Ai mendonte se kishte siguruar një alibi dhe ishte kujdesur për gjithçka. Ai i kishte hequr edhe regjistruesit nga hard disku i kamerave” – tha ai.