Nga Brooke Nelson
“Reader Digest”
Le të jemi të sinqertë:shumica prej nesh janë fajtorë për një ose dy gafa në Facebook. Kush është më e rënda prej tyre? Ekspertët e rrjeteve po na paralajmërojnë të largohemi nga tastiera, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet kryesore. Sipas tyre, problemi nuk është vetëm se po bëni shumë “share” në Facebook.
Studimi më i fundit, këshillon të reagoni ndryshe ndaj një komenti që lexoni në internet.
Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë dhe studiues të Universitetit të Çikagos rekrutuan 300 vullnetarë për të lexuar, parë një video, apo për të dëgjuar argumente rreth temave të diskutueshme.
Më pas, pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve rreth opinioneve me të cilat ata nuk binin dakord. Rezultatet? Njerëzit që dëgjonin ose shihnin dikë që fliste me zë të lartë mbipikëpamjet e kundërta, kishin më pak gjasa ta karakterizonin folësin si “të painformuar ose të pashpirt”.
Ndërkohë, ata që i lexuan argumentet, ishin më shpërfillës ndaj mendimeve të kundërta. Disa ekspertë e shpjegojnë këtë me anonimitetin e perceptuar të rrjetit botëror. “Njerëzit janë shumë më të guximshëm në Facebook sesa në jetën reale”- thotë Uendi Mensell, drejtoreshë e Shkollës Kanadeze të Protokollit dhe Etiketave.
“Ekziston një shkëputje midis asaj që shkruajnë, dhe mënyrës se si do të silleshin në rrethana të tjera. Dhe shpesh ata harrojnë se fjalët e tyre mund të ofendojnë njerëzit. Mediat sociale na bëjnë më të ekspozuar ndaj të tjerëve, dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë mesazhi po i paraqesim botës”-shton ajo.
Në dritën e këtyre gjetjeve, studiuesit i këshillojnë njerëzit që t’i sheshojnë mosmarrëveshjet midis tyre duke folur me njëri-tjetrin personalisht, në vend se të përdorin tastierën e kompjuterit. Ndërsa është e lehtë që temperamentet e njerëzve të shpërthejnë në mediatsociale, komunikimi ballë për ballë mund të zbusë mosmarrëveshjet dhe madje të krijojë kompromis, thonë ata.
Prandaj herën tjetër që josheni të bëheni pjesë e debati veçanërisht pasionant në Facebook, kujtohuni të planifikoni më mirë një kafe apo një telefonatë me personin në fjalë. Na besoni, kjo mund të shpëtojë reputacionin por edhe marrëdhëniet tuaja./bota.al