Vllaznia e vajzave ka shkruar sot historinë në futbollin shqiptar duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Vajzat kuqeblu janë përfshirë kështu në listën e 16 ekipeve më të mira të Europës për femra. Kjo është arritja më e madhe në histori e një klubi shqiptar në kompeticionet europiane. Shkodranet luajtën në ‘Loro Boriçi’ ndeshjen e dytë të fazës së play-off-it të Champions League kundër Vorskla-Kharkiv. Rezultati vendimtar ishte 2-1, që mjaftoi për të siguruar kalimin në fazën e grupeve për herë të parë.
Vllaznia luajti një javë më parë sfidën e parë të kësaj faze kundër Vorsklës, ku shkodranet barazuan 1-1. Sot u luajt sfida e dytë mes këtyre dy ekipeve, ku skuadra shqiptare ia doli të buzëqeshte. Sukesi erdhi falë golave të amerikanes Tarah Lynn Patterson në pjesën e pare dhe Gresa Berishës 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Goli i parë erdhi pas një asisti të Megi Doçit, e cila krosoi nga e majta për amerikanen Patterson, e cila goditi saktë me kokë. Vllaznia mori avantazhin 1-0 në minutën e 39-të të takimit. Vajzat shkodrane patën edhe raste të tjera, por pa arritur të shënojnë. Në minutën e 85-të ukrainaset barazuan me Korsun pas një gabimi në mbrojtje. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe vetëm 3 minuta pas barazimit erdhi kryevepra e Gresa Berishës. Goli që e çoi Vllazninë në grupet e UEFA Women’s Champions League.
Një sukses i jashtëzakonshëm i arritur nga puna e palodhur e vajzave shkodrane, trajnerit Nikolin Leka, Presidentit Lazer Matija e të gjithë stafit të Vllaznisë së vajzave.