Këtë sezon, ekranet shqiptare, teksa kanë mbajtur emisionet bazë në programacionin e tyre, kanë shtuar edhe një seri të rinjsh ku koha televizive paguhet sipas perceptimit të suksesit në audiencë. “Monitor” ka përpunuar tarifat e reklamimit në tre prej televizioneve kryesore në vend, për të nxjerrë emisionet më të shtrenjta dhe ato më të lira. Në Top Channel, vitin e shkuar, rekordin e më të shtrenjtit e mbante “Big Brother VIP”, me 5700 lekë/sekondë para programi dhe 11 lekë/sekondë gjatë transmetimit. Për këtë vit, duke qenë se fillimi është programuar më vonë ende nuk ka një çmim të finalizuar për shtator-dhjetor.
Për momentin, “Portokalli” mban fronin, ku reklama që transmetohen para spektaklit kushton 4300 lekë në sekondë, kurse gjatë transmetimit, 8500 lekë në sekondë. Në vendin e dytë vijnë përkatësisht “Më lër të flas” dhe “Dancing with the Stars”, ku çdo sekondë para fillimit kushton 4300 lekë, kurse gjatë transmetimit 7300 lekë. “Top Story”, për çdo sekondë para nisjes ka çmim me 4300 lekë dhe gjatë transmetimit 6150 lekë.
Oraret e mëngjesit dhe kryesisht të emisioneve të paradites janë edhe ato më të lirat ku “Wake Up” për çdo sekondë ka tarifë 610 lekë para fillimit dhe 1220 gjatë transmetimit edhe pse filmat vizatimorë janë edhe më lirë. Në TV Klan, “Opinion” dhe “Klanifornia” vijojnë sikurse dhe vitin e kaluar të mbajnë çmimin më të lartë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjes së emisionit me 6750 lekë/sekondë, ndërsa para emisionit, çmimi është 3400 lekë/sekondë.
Po kaq do të paguhet edhe për “hyrjen” e re në programacion me Luana Vjollcën “Zemër Luana”. “E Diela Shqiptare”, është i dyti më i shtrenjtë me 5400 lekë/sekondë për transmetimin gjatë programit, ndërkohë që para tij është përkatësisht 1400 lekë/sekonda.
“Stop” dhe serialet në “prime time” mbajnë vendin e tretë me 4400 lekë për reklamat gjatë transmetimit. Programi më i lirë për reklamim është “Shije Shtëpie me 500 lekë sekonda para fillimit dhe 650 lekë gjatë transmetimit ndërkohë që më pas vjen “Aldo Morning Show” me 550 lekë/sekondë para programit dhe 950 lekë/sekondë gjatë programit.
Vizion Plus në listën e programeve më të shtrenjta për reklamim ka “Al Pazar” me 6600 lekë/sekondë për transmetimin gjatë emisionit, ndërsa para emisionit, çmimi është 3000 lekë/sekondë. Në emisionin “Spotlight”, nga Alban Dudushi, çmimi është 5000 lekë/sekondë, për reklama gjatë emisionit dhe 2500 lekë para tij.
“Quo Vadis” dhe “Fake Off”, për çdo sekondë reklamë para emisionit kanë një tarifë 2000 lekë, ndërsa gjatë transmetimit, 3500 lekë. Emisionet me çmimet më të lira të reklamimit në ekranin e Vizion Plus janë “7 pa 5”, në mëngjes, me 600 lekë/sekondë gjatë transmetimit, dhe “Next” në orën 16:00, me 600 lekë/sekondë gjatë transmetimit.