Disa ditë pas reagimeve të shumta në skenën ndërkombëtare, shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar falje për deklaratën e tij ku Evropën e ka përshkruar si një kopsht prosperiteti dhe pjesën tjetër të botës si një xhungël.
Në një postim në blogun e tij të martën, Borrell ka thënë se metafora e tij është keqinterpretuar, raporton Euronews.
“Disa e kanë keqinterpretuar metaforën si ‘eurocentrizëm’. Më vjen keq nëse disa janë ndier të ofenduar”, – ka shkruar ai.
Megjithatë, ai nuk e hodhi poshtë figurën stilistike të përdorur në deklaratën e tij, ndërsa u shpreh se termi “xhungël” është një ilustrim i duhur i paligjshmërisë dhe çrregullimit që aktualisht sundon politikën botërore.
“Referenca ime për ‘xhunglën’ nuk ka asnjë konotacion racist, kulturor apo gjeografik. Fatkeqësisht, ‘xhungla’ është kudo, përfshirë sot në Ukrainë”, – ka thënë kryediplomati i BE-së.
Fjalët “kopsht” dhe “xhungël”, Borrell i përdori të enjten e kaluar kur iu drejtua një auditori në Akademinë Diplomatike Evropiane në Brugges të Belgjikës.
“Evropa është një kopsht. Ne kemi ndërtuar një kopsht. Gjithçka funksionon. Është kombinimi më i mirë i lirisë politike, prosperitetit ekonomik dhe kohezionit social që njerëzimi ka mundur ta ndërtojë.
Pjesa tjetër e botës, nuk është saktësisht kopsht. Pjesa më e madhe e pjesës tjetër të botës është një xhungël dhe xhungla mund të pushtojë kopshtin”, – ka thënë ai.