Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është transferuar si drejtues politik i PS-së në Lezhë. Më herët ai kishte mbajtur të njëjtën detyrë në Dibër. Në vend të tij në Dibër si drejtuese qarku është caktuar Belinda Balluku.
Këto ndryshime janë njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri teksa ka prezantuar Manjën në Lezhë.
“Me strukturat e Partisë Socialiste të Qarkut të Lezhës ku prezantova Ulsi Manjën si drejtuesin e ri politik. Falënderova Blendi Klosin për punën e bërë deri më tani në këtë qark. Në cilësinë e Sekretarit Organizativ, në këtë fazë, Blendi ka një përgjegjësi të shtuar duke ju përkushtuar plotësisht mbarëvajtjes së procesit të brendshëm zgjedhor të partisë në territorin e 61 bashkive. Punën e mirë të bërë nga Ulsiu në Qarkun e Dibrës do ta vazhdojë më tej Belinda Balluku”, – shkruan Gjiknuri.
Këto ndryshime vijnë pasi kryeministri Edi Rama mblodhi drejtuesit politikë të qarqeve dhe komisionin e posaçëm të Kryesisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetarët e 61 degëve të PS-së.