Prokuroria Speciale ka firmosur 32 urdhër-arreste për prangosjen e disa personave të konsideruar si “bosët e krimit”. Operacionet që janë shtrirë në pesë qytete të vendit kanë nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe janë angazhuar dhe Forcat Speciale.
Ka qenë “zbërthimi” i Nuredin Dumanit dhe mikut të tij që ka bërë që SPAK të urdhërojë arrestimin e “të fortëve” të botës së krimit. Dumani ka rrëfyer prokurorëve të gjitha informacionet që ai dinte dhe vrasjet e kontraktuara nga këta persona.
Paraprakisht, bëhet me dije se është kërkuar arrestimi i Suel Çelës, Ervis Martinajt, Fatos Gosës (banda e Peqinit) dhe Sokol Sanxhaktarit (i arrestuar tashmë për një vrasje, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini). Po ashtu, SPAK ka urdhëruar arrestimin e Kamer Merjas në Elbasan, një personazh i njohur i botës së krimit.
Hetimet për aksionin e sotëm udhëhiqen nga 3 prokurorë, Doloreza Musabelli, Behar Dibra dhe Altin Dumani. Policia dhe Prokuroria Speciale janë treguar hermetikë në lidhje me këtë operacion, por kanë paralajmëruar një konferencë për mediat më vonë.
Newsbomb.al mëson se ka të arrestuar edhe në qytetin e Tiranës, në lagjen “5 Maji”; të paktën 10 persona janë arrestuar në qarkun e Elbasanit. Siç shihet nga pamjet, operacioni atje është zhvilluar në orët e para të mëngjesit dhe prezenca e Policisë ka qenë e lartë.
Mes personave të ndaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale janë dhe disa oficerë të Policisë së Shtetit. Ata dyshohet se u kanë dhënë informacion grupeve kriminale për goditjen e kundërshtarëve. Nuk dihet nëse mes të arrestuarëve janë dhe bosët e krimit të përmendur më sipër./newsbomb