Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Europian, u soll për t’u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje. Ajo është pjesë e një hetimi për korrupsion që ka përfshirë edhe “një vend të Gjirit”. Gazeta belge “Le Soir” identifikoi Katarin si vendin e përfshirë. 4 persona u arrestuan në mëngjes në kryeqytetin belg për të njëjtin rast.
Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se 1 nga katër të arrestuarit është bashkëshorti i Kailit. Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi se ajo ishte “përjashtuar” nga partia. Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600 mijë euro para cash. Kompjuterë dhe telefona celularë u sekuestruan gjatë kontrolleve të së premtes.
“Për disa muaj, hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale kanë dyshuar për një vend të Gjirit që synonte të ndikonte në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian. Kjo ishte bërë duke paguar shuma të mëdha parash ose duke u ofruar dhurata të mëdha palëve të treta pozicione të rëndësishme politike dhe/ose pozicioni strategjike brenda Parlamentit Evropian”, – thuhet në deklaratë.
Zyra e prokurorit nuk e përmendi vendin në qendër të hetimit. Të arrestuarit thuhet se janë një drejtor i OJQ-je pa emër; udhëheqësi i sindikatave Luca Visentini; ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri; dhe një burrë i identifikuar si F.G., ish-asistent i Panzerit me lidhje me grupin S&D dhe partneri i Kailit.
44-vjeçarja Kaili është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014. Të kontaktuara nga Euronews, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se “Parlamenti Europian nuk komenton procedurat gjyqësore”.