Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, vendosi të hënën tw miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi Prishtina paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.
Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun (Kosovë – Serbi) e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe njoftimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedh kërkesën për votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare. Nëse kërkesa mbështetet nga dy të tretat e vendeve anëtare atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e organizatës. Debatet për këtë çështja mund të shtohen në njërën nga seancat e radhës të Asamblesë Parlamentare, në muajin qershor apo muajin tetor të këtij viti.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se, “vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë” së Kosovës, duke tërhequr vëmendjen se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës “është i gjatë dhe plot sfida”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, falënderoi aleatët që votuan në mbështetje të Kosovës ”por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi se “shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në maj të vitit 2022 pak kohë pa përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Kërkesa e saj nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha më herët të hënën se Serbia do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër, parasheh që të dyja vendet të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese./VOA/