Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËVendoret e 14 majit/ ODIHR: Polarizim i thellë i mjedisit politik

Vendoret e 14 majit/ ODIHR: Polarizim i thellë i mjedisit politik

Në Shqipëri, misioni i vëzhguesve ndërkombëtar të ODIHR-it, vëren se “mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë ndërmjet kryetarëve të partive të mëdha”. Konstatimi i përket Raportit të ndërmjetëm mbi zgjedhjet vendore të 14 majit, i publikuar të premten pasdite. Ai është një dokument përshkrues mbi situatën dhe zhvillimet e deritanishme.

Raporti vëren se fushata e nisur zyrtarisht më 14 prill “ka qenë relativisht modeste dhe me ton të moderuar” dhe se ajo “duket të jetë e orientuara më tepër ndaj profileve të kandidatëve sesa platformave specifike politike të tyre, ku zgjedhjet e këshillave kanë kaluar në plan të dytë krahasuar me zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë”. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë “përgjithësisht, fushata është e dukshme, veçanërisht në Tiranë, ku misionit i ODIHR-it ka vërejtur një prani të konsiderueshme të materialeve të fushatës në terren, përgjithësisht deri më tani ekskluzivisht nga PS”.

Misioni i Vëzhguesve, i drejtuar nga ambasadorja Audry Glover ka zhvilluar takime të shumta si me përfaqësuesë të të gjitha krahëve politike, ashtu dhe me institucionet dhe aktorë të përfshirë në procesin zgjedhor. Në raport shkruhet se “shumë bashkëbisedues të misionit të ODIHR-it, ngritën shqetësime lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, siç është bonusi i pensionistëve dhe premtimet e kryeministrit lidhur me pagat e punonjësve të sektorit publik. Komisioneri deklaroi publikisht se sipas interpretimit të tij, dispozitat ligjore përkatëse zbatohen vetëm për zgjedhjet parlamentare”.

Ndërkohë, sipas raportit “KQZ-ja informoi misionin se deri më 18 prill, shumica e 340 raportimeve të depozituara përmes portalit të saj online, ishin dorëzuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe pretendonin keqpërdorim të burimeve publike” dhe se “KAS ka shqyrtuar gjithashtu 20 kërkesa të Komisionerit për vendosjen e sanksioneve për shkeljen e masave të parashikuara kundër keqpërdorimit të burimeve publike dhe ka pranuar 10 prej tyre”.

Për zgjedhjet e 14 majit janë regjistruar rreth 3,65 milionë zgjedhës. Vëzhguesit shprehen se kanë marrë shqetësime se në listën përfundimtare të zgjedhësve janë bërë ndryshime të qendrave të votimit të cilat prekin rreth 1,3 milionë zgjedhës. “Disa bashkëbisedues të misionit, besojnë se kjo mund të çorientojë votuesit në ditën e zgjedhjeve”, shkruhet në raport.

Dokumenti i ODIHR-it, vlerëson pozitivisht punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Deri tani, administrata zgjedhore ka respektuar shumicën e afateve ligjore. Shumica e bashkëbiseduesve të misionit, vunë re transparencë dhe hapje të shtuar në vendimmarrjen e KQZ-së”.

Më 14 maj shqiptarët do të duhet të votojnë për drejtuesit e 61 bashkive dhe 1603 anëtarët e këshillave të tyre bashkiakë. Në garë janë përfshirë 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshillat. Dy kandidatë për kryetar bashkie dhe dhjetë për këshillat, janë të pavarur. Dyzet kandidatë janë ende nën shqyrtim nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi KQZ-ja konstatoi elementë që ngrinin dyshime mbi të kaluarën e tyre, dhe vendimi përfundimtar mbi pranueshmërinë e tyre është pezull.

Misioni, përbëhet nga një ekip bërthamë prej 13 vetësh i vendosur në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë të dërguar më 13 prill në 12 qarqet në mbarë vendin. ODIHR-i u ka kërkuar Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 300 vëzhgues afatshkurtër për të ndjekur procedurat në ditën e zgjedhjeve./VOA/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME