Kreu i shtetit, Bajram Begaj i është drejtuar sot qytetarëve me një mesazh, kur na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e heshtjes zgjedhore.
Begaj ka deklaruar se deri tani kanë qenë kandidatët që kanë folur duke shpalosur propozimet dhe platformat e tyre, ndërkohë që kjo është koha kur qytetarët duhet të flasin me votën e tyre.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi.
Mesazhi i plotë:
Të nderuar votues!
Është mbyllur tashmë sipari i propozimeve që ju keni dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale.
Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur, kur kanë dashur dhe me intensitetin e paevitueshëm të propozimeve partiake.
Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj!
Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.
Pikërisht përfaqësuesit që do të zgjidhni nesër, do të jenë përgjegjës për cilësinë e saj.
Ata do kenë detyrimin e mirëmenaxhimit të burimeve vendore dhe për të krijuar nëpërmjet tyre mundësi të reja zhvillimi për projektet e së ardhmes për qeverisjen vendore.
Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona.