Një gjykatë në Milano vendosi të lërë në burg pa afat 30-vjeçarin Alessandro Impagnatiello, i akuzuar se ka vrarë të dashurën e tij, Giulia Tramontano, në muajin e 7-të të shtatzënisë. Ai e goditi disa herë me thikë 29-vjeçaren mbrëmjen e së shtunës në banesën e tyre në Senago në periferi të Milanos. I riu është rrëfyer se ka tentuar 2 herë të djegë trupin e partneres së tij, të cilin më pas vendosi ta fshehë atë në një kanal të hapur pranë një pallati jo shumë larg shtëpisë.
Mediat italiane kanë zbardhur detaje të rënda nga historia horror që ka tronditur të gjithë opinionin publik në vendin fqinj. 29-vjeçarja kishte zbuluar se Impagnatiello po e tradhtonte me një 23-vjeçare të quajtur Allegra (të dyja kishin mbetur shtatzënë, por Allegra kishte vendosur ta ndërpriste shtatzëninë). Të shtunën e 27 majit, 29-vjeçarja kishte pasur një takim me rivalen.
Allegra i kishte thënë se ishte mashtruar nga Alessandro i cili i kishte deklaruar se historia me Xhulian kishte përfunduar pak kohë më parë. Kur të dyja vajzat takuan, të dyja zbuluan “kështjellën e madhe të gënjeshtrave” të banakierit. Të dyja kishin vendosur të hakmerreshin me 30-vjeçarin. Por ky rezultoi të ishte fillimi i fundit.
Alessandro mësoi se vajzat ishin takuar dhe menjëherë sipas hetuesve nisi të planifikonte vrasjen. Në internet bëri një kërkim “si të heqësh njollat e djegieve nga vaska”. Kjo shenjë për hetuesit do të thoshte se ai kishte vendosur që në atë moment të vriste Giulian. Megjithatë hetuesve ai u tha një tjetër variant. Sapo e fejuara mbërriti në shtëpi pati një ballafaqim të shkurtër për tradhtinë, sipas tij.
“Biseda nuk zgjati shumë dhe mes meje dhe saj pati një ftohje. Pas kësaj hëngra një panine. Xhulia shkoi në kuzhinë për të përgatitur darkën dhe filloi të priste disa domate” – ka thënë vrasësi në procesverbalin e policisë.
“Me thikën që përdorte për domatet ajo filloi të priste krahët e saj. U përpoqa të afrohesha dhe ta ndalja, por ajo më tha se nuk donte të jetonte më. Ajo tashmë kishte bërë disa goditje në qafë dhe unë për të mos vuajtur, e godita edhe 3-4 herë” – është justifikuar 30-vjeçari.
Në asnjë moment ai nuk ka përmendur djalin e tij, Thiago që pritej të lindte në korrik. Madje ai nuk ka bërë asnjë pendesë për këtë. Megjithatë në deklaratat e tij ka shumë kontradikta. Hetuesit e kanë pyetur se çfarë kishte bërë Xhulia kur ai kishte marrë thikën në dorë.
“Ajo u përpoq të mbrohej duke lëvizur dhe përpëlitur” – ka thënë i riu. Xhulia vdes aty për aty, përballë divanit në dhomën e ndenjjes. “Isha konfuz dhe në mjegull. E tërhoqa trupin e saj deri në banjë dhe e futa në vaskë dhe aty kuptova se e kisha vrarë. Në atë moment doja të hiqja qafe kufomën. Kishte disa alkool për pastrim dhe i vura flakën” – ka thënë ai.
Përpjekja dështoi, ndaj ai e çoi në garazh “me një pjesë të rrobave tashmë të djegura”. Ai u kujdes të pastrojë gjakun nga dyshemeja “me leckë mikrofibër, letra dhe ujë”. Pastaj shkoi te Allegra në Milano dhe i tha se “Giulia nuk është më” në kuptimin që ajo nuk është më pengesë për të pasur një lidhje me të. Në orën 3.30 të natës ai u kthyer në Senago. Ndaloi në një pikë karburanti dhe mbushi një shishe me benzinë.
“E derdha mbi trupin e Giulias, por edhe në këtë rast nuk arrita ta bëj hi dhe rreth orës 5 të mëngjesit vendosa të shuaj flakët”. Në orën 7 të mëngjesit të së dielës, Alessandro shkoi në punë dhe e la trupin në garazh. Të martën e ngarkoi në makinën e tij ku e mbajti deri të mërkurën mbrëma kur edhe e fshehu. “E kam përdorur ndërkohë makinën duke ardhur rrotull me trupin në bagazh”, – ka sqaruar ai.
Trupi i Xhulias u gjet të mërkurën mbrëma në një zgavër më pak se dy kilometra larg shtëpisë. Tani Impagnatiello është në burg, i akuzuar për vrasje me paramendim, por edhe për kryerje mizorish, për fshehje të kufomës dhe abort pa pëlqim.