Dy persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur nga aksidentet rrugore ditën e sotme në vendin tonë.
Aksidenti i parë ndodhi orët e para të mëngjesit në aksin dytësor Tiranë-Durrës, ku një makinë tip “BMWX5” doli nga rruga dhe u përplas me bordurat anësore.
Viktimë e aksidentit mbeti Visar Meshi, baba i dy fëmijëve, i cili ishte pasagjer. Të plagosur mbetën Ensid Hasanllari dhe Erenik Cakraj, njëri prej të cilëve ishte dhe shoferi i mjetit
Aksidenti i dytë me pasojë vdekjen e një polici kufiri, u shënua në aksin rrugor Lezhë-Shkodër në afërsi të fshatit Balldre.
46 vjeçari Gëzim Zhuka, ka qenë jashtë shërbimit në momentin e aksidentit. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe stafit mjekësor për ta nxjerrë nga makina e tij. Fillimisht ai u dërgua me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të marrë nuk mundi të mbijetojë.
Ndërsa shoferi i makinës që u përplas me efektivin, ka marrë dëmtime të lehta dhe mësohet së është jashtë rrezikut për jetën. Të plagosur mbetën edhe dy persona, njëri prej tyre serb.
Paraprakisht dyshimet e policisë janë se shkak i aksidentit të jetë bërë shkelja e rregullave të qarkullimit, megjithatë grupi hetimor është në pritje të ekspertizës zyrtare.