Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Monza – Saronno në Itali. Një automjet tip Range Rover me 3 persona në bord që udhëtonte me shpejtësi të madhe ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke për rrotulluar disa herë dhe në fund ka shpërthyer në flakë. Për pasojë humbi jetën një 22-vjeçar shqiptar i identifikuar si Arnold Selishta.
Ai ishte pasagjer në mjetin që thuhet se drejtohej nga një 23-vjeçar. Mediat italiane shkruajnë se dyshohet se makina ishte përfshirë në një garë shpejtësie me një automjet tip BMW seria 8 në të cilën ndodheshin disa miq të viktimës.
Drejtuesi 23-vjeçar i Range Rover është ndaluar nga karabinierët të cilët pritet ta marrin në pyetje sapo gjendja e tij të përmirësohet. Telefonat celularë të të rinjve do të ekzaminohen për të saktësuar nëse ishte gjithçka një garë e organizuar me qëllim që pamjet të shpërndaheshin më pas në rrjetet sociale. Sipas asaj që mësohet, para aksidentit viktima dhe miqtë e tij kishin kaluar mbrëmjen në një klub në Nova Milanese, në zonën e Monzës.
Kur ishin nisur të largohen kishte filluar një garë në aksin Monza – Saronno. Por kur makinat kanë mbërritur në një rrethrrotullim të madh pranë Limbiate, makina Range Rover hyri mes për mes dhe më pas fluturoi në ajër duke u rrokullisur më pas disa herë në asfalt. Sipas raportimeve të para, Selishta ndodhej i ulur në sediljen e pasagjerit. Ai u nxor pak para se flakët të gllabëronin plotësisht makinën Range Rover.
I transportuar me urgjencë në spitalin San Gerardo në Monza, ai ndërroi jetë pak kohë më vonë. Përveç tij dhe shoferi, në makinë ishte edhe një 18-vjeçar i cili është transportuar me urgjencë në spitalin Niguarda në Milano. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së autostradës.
Ata kanë vënë re se edhe në rrjetet sociale të rinjtë kanë qenë të pasionuar pas garave të shpejtësisë. Para nja dy vitesh, në profilin e tij në Facebook, i riu shqiptar kishte postuar një video amerikane të një gare mes makinave të ngjashme me atë që do të bënin djemtë dhe që për të rezultoi fatale.