Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËDIÇKA PËR HËNËN

DIÇKA PËR HËNËN


Nga Andrea Prifti – Kur isha isha i vogël dhe qaja pa e ditur përse, më tregonin hënën.
-Ja hëna, ja!
Ngrija kokën lart, e gjeja hënën në qiell dhe për çudi, pa e ditur arsyen, pushoja së qari.
Kur isha i ri, pa më thënë kush, në vetminë time e kërkoja hënën në qiell dhe, sapo e shihja, rrija dhe e kundroja gjatë duke ëndërruar për atë që më dukej se e dashuroja. Dhe, duke parë tinëz pas, i drejtohesha:
-Po ajo, më do?
I sigurtë se askush nuk po më dëgjonte, madje as vetë hëna, rehatohesha në ndonjë qoshe të kopshtit ku të gjitha, pemë e drurë, lule dhe harabela, dukeshin në të njëjtën ngjyrë, madje edhe bari që kishte mbirë, më ngjanin të përhimtë…Apo gjelbëroshë? Këtu i futesha diskutimit me hënën sipër kokës sime sepse ishte pikërisht ajo që vendoste për ngjyrën duke i harruar fare stinët. Ç’mund të thoshja për të përhimtën e dimrin që s’donte t’ia dinte për gjelbërimin e pranverës? Po për “argjendin” e agimit të majit? Për “arin” e verës dhe të verdhën e vjeshtës?! Këtu ndërpritej biseda ime me hënën për të rifilluar ku e ku më gjatë, si me turp për dashurinë time gjë që, me gjasë, hëna diçka do të dinte të më tregonte apo edhe të më shpjegonte!
-Mos harro hallin që kam!
(I drejtohesha asaj hëne duke e “kërçënuar” me gisht, sikur të qe ajo dhe jo unë në hall!)
Kur u bëra burrë e hallet m’u shtuan, i thoshja vetes:
-Hap sytë, mos iu nda…!
Në të vërtetë unë ia kisha ngulur sytë hënës sikur të qe “objekti” të çilit “nuk duhej” kurrsesi t’i ndahesha!…Cilit, hallit apo hënës?! Po a nuk ishte “braktisja” e hallit, largimi, sikteristja e tij?! Dhe hovja përpjetë duke trazuar degët e drurëve ku isha mbështetur. Largohesha nga ajo qoshe i ndjekur nga zhurmërima e drurëve në tokë dhe shikimi i hënës në qielli. Po ndryshe nga drurët, që pas pak do pushonin së lëvizuri, hëna kurrë nuk do ndalej duke më ndjekur mua në eçjen time, madje as kur çapitesha i menduar bregut të lumit: Kishte rënë në ujë dhe më ndiqte në heshtje…
Unë nervozohesha. Më duket se njëherë isha ndalur dhe e shava me fjalët e një të fantaksuri. Po si kështu?! Po sepse pak çaste më parë atë e kisha identifikuar me vetë hallin, shkaktarin e shqetësimit tim. Tamam, ajo…Isha ndalur t’i formuloja qartë dhe rreptë sharjet e mia për atë “të poshtër” që më ndiqte pa ia ndarë sytë eçjes sime: Përpara, pas apo edhe rretheqark, kushedi sa herë e kisha përshkuar kopshtin e mbushur me pemë…
Njëherë i rash me majën e këpuçës trungut të një arreje e dhimbja më solli në vete. Doja të qeshja dhe për këtë më duhej t’i hidhja shikimin hënës që “Ishte ndalur” në kup të qiellit për të më parë mua!… Krova kokën i turpëruar. Mos po tallej me mua duke më imituar?! Se kjo dinte të tallej me të gjithë, madje edhe me time shoqe që shpresonte t’i nderte të thaheshin rrobat e lara te çepi i draprit të asaj hëne ato ditë të para të pesëmbëdhjetëditshit të saj! (Në fakt ishte tallur ime shoqe me mua kur një mëngjez, kur hëna kishte ndodhur të mos kishte perënduar. I kisha thënë se sa bukur do ishte t’i nderte rrobat të drapri i hënës! “Mirë e ke, po sa të kthesh krahët ti, dielli do ta përzerë hënën dhe hajde e mblidhi rrobat që do bien të gjitha në përrua! I ziu ti, do tallet tërë dynjaja me ty!”.
-Faji do jetë yti!
-Hëna, hiç?!
Dhe mori krahun me rroba të lagura e u drejtua nga degët e drurëve. Kaloi para meje duke çurguar ujin dhe pëshpëritjet për “të fantaksurin” që u kuptua se isha unë!
Dreq! Inatin nuk e kisha me hënën por me time shoqe që s’dinte të qeshte njëherë me shakate e mia!
-Si nuk të pëlqen asgjë e bukur, xhanëm!
-Bukurizeza! I gjete paratë e këstit të kredisë së bankës?
-Dreq! Mos ma kujto!- iu gërmuqa.

Tani që po plakem e netëve pa gjumë dëgjoj se si bien njera pas tjetrës gjethet në kopsht, nuk më rrihet pa pyetur time shoqe.
-Ç’është ajo zhurmë matanë dritares?!
Ajo zgjohet, (Mbase nuk e kishte zënë gjumi fare), fërkon sytë dhe, duke u shtriqur, më shtynë me bërryl dhe ma kthenë po me pyetje:
-Ç’është ajo dritë aty jashtë?!
Dhe më kthen kurrizin e bënë sikur gërhet.
-Hëna!
Ia kthej unë me vonesë, pa e ngritur zërin duke dashur ta bëj gënjeshtrën më të besueshme, një gënjeshtër të çuditshme që nuk kishte as fillim mendimi e as synim qëllimi.
Ajo vazhdon të gërhasë duke fjetur a mosfjetur. Unë ngrihem dhe i afrohem dritares duke parë pasqyrimin e xixëllimës së çigares sime të ndezur në xham. Bëj të hap dritaren me shpresë se aty, matanë, diku në një qoshe të qiellit, do ndodhë të kem arësye të qëndroj gjatë aty. Jashtë, në kopsht, bënte fresk. Madje është ftohtë. Hëna nuk duket. Pa dale, ku ishte ajo qoshja që…Ah, nga qielli duken të gjitha qoshet, edhe drurët e pemët. Edhe…
Jashtë gjethet vazhdonin të binin.
Këtë herë nuk fëshfërinin por pëshpërisnin…Apo psherëtinin në errësirë?
Dhe mua më bëhej sikur dëgjoja avazin e shtruar të një melodie të trishtuar…

2021. Vjeshtë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME