Bregdeti do të vijojë të jetë kantier ndërtimi me së paku 20 leje të reja ndërtimi ose zhvillimit për projekte resortesh, por edhe kullash. Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e parë për ndërtimin e pallateve në projektin e portit të Durrësit.
Bëhet fjalë për lejen për godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbitokë dhe 1 kat parkim nëntokë. Ndërtimi do të nisi pikërisht në pjesën lindore aty ku autoriteti portual i Durrësit përzuri koncesinarin gjerman që kishte një kontratë shfrytëzimi 35-vjeçare.
Po ashtu janë miratuar në seri lejet për projekte buze detit, nga plazhet e Lezhës deri në Sarandë. Leje ndërtimi është dhënë një “Strukturë akomoduese rezidenciale në Vlorë”.
Në bregdetin e Lalzit, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejet për 4 projekte. E para është leja e zhvillimit për objektin: “Strukturë Hotelerie dhe Shërbime”, me vendndodhje në Gjirin e Lalzi. Po kështu është miratuar leja e zhvillimit për objektin: “Strukturë Hotelerie”, në Gjirin e Lalzit, Bashkia Durrës. Dy vendimet e tjera ishin miratime lejesh ndërtimit për dy resorte turistike.
Në bregdetin e Jugut janë miratuar një sërë projektesh. Mes tyre janë leja e zhvillimit për një resort turistik, si dhe leja e ndërtimit për objektin “Godinë Shërbimi Hoteleri”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë.
Ndërkohë projektet e tjera të cilave u është miratuar leja e ndërtimit i përkasin zonës së Radhimës dhe Sarandës. Në të njëjtën mbledhje KKT ka miratuar se paku 30 leje të tjera për objekte të ndryshme në vend./Monitor