Një vatër zjarri e rrezikshme, e favorizuar nga era, ka vijuar të shkrumbojnë hapësira të konsiderueshme bimësie në fshatin Visok në Patos. Për shkak se zjarri është përhapur dhe po shkon pranë nënstacionit elektrik, në zonë është ndërprerë energjia elektrike.
Përmes një njoftimi, OSHEE shkruan se: “Për shkak të zjarrit shumë pranë Nënstacionit Patos, OSSH është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie. Ndërkohë është njoftuar zjarrëfikësja.”
Zjarri i cili doli jashtë kontrollit pas djegies së mbeturinave në fshatin Ofiçinë të Patosit po vijon përhapjen e tij në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Në vendngjarje për neutralizimin e flakëve ndodhen mjetet zjarrfikëse, shërbimet e policisë Fier dhe disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Situata vijon të mbetet kritike ndërsa në zonë ndodhen dhe disa puse nafte. Banorët e zonës të alarmuar nga kjo situatë pohojnë se ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur largimin e rrezikut nga banesat dhe puset e naftës, ndërkohë që është përfshirë nga flakët nenstacioni elektrik.
Sakaq, për shkak të zjarrit OSSH është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie
Qarku i Fierit është përfshirë nga 11 vatra zjarri këtë të shtunë. Kjo datë ka shënuar edhe ditën më të vështirë sa i përket luftës me flakët për vitin 2023.