Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËKu është shtepia e Zotit aty është liria!

Ku është shtepia e Zotit aty është liria!

Nga Azgan Haklaj – A do ta njohë Selia e Shenjtë pavarësinë e Kosovës?

Para 23 vitesh teksa Kosova pas gjashtë shekujsh robërie po e ndjente armën e lirisë mes gërmadhave e plagëve të luftës që akoma kullonin gjak, në Shkodrën iliriane bashkëmoshatare e Romës dhe kryeqendër e kulturës shqiptare zhvillohej seminari ndërkombëtar në përkujtim të 2000 vjetorit të Krishtërimit Shqiptar.
Akademikë, klerikë e studiues të shquar të Kosovës së lirë u bënë natyrshëm jo vetëm pjesë integrale, por njëherësh edhe frymëzuesit e këtij evenimenti madhor të një Kombi bashkëthemelues të Krishtërimit.

Vëllezërit tanë të një gjaku, gjuhe e historie vinin nga trojet tona dardane i të njëjtit gjak me Enean themeluesi i Butrintit e Romës, Kostandinit të Madh, i cili me Ediktin e Milanos në vitin 313 pas Krishtit i dha fund persekutimit të të krishterëve që kishte filluar nga Neroni e perandorët e tjerë paganë.
Ata vinin nga Atdheu i Niket’ Dardanit e Hasi i Gjergj Kastriotit e Pjetër Bogdanit, nga Shkupi i Justinianit e Nënë Terezës, nga Kosova e Ibrahim Rugovës.
Pjesëmarrësit e këtij tubimi historik ishin mëse të bindur se kulturalisht ishin të gjithë katolikë romanë por fatlum së “B”-të e mëdha të gjuhës e kulturës kombëtare Buzuku, Bogdani, Bardhi e Budi ishin jo vetëm priftërinj katolikë e udhëheqës shpirtërorë të një populli që ishte zhytur thellë në natën e errët otomane, por edhe rilindas të mëdhenj e patriarkë të kulturës kombëtare, të gjuhës dhe historisë së tij.

Duke përshkruar përplasjen vigane mes arbërorëve e barbarëve të Azisë në trojet tona Kadare i madh shkruan: “Shqipëri e sertë 300 kyengritje në 400 vjet”.
Në ato vite të stuhishme kur kombi ynë luftonte për jetë a vdekje për të mbrojtur lirinë, ekzistencën dhe identitetin e tij të krishterë, paraardhësit e mi të Gashit ju drejtuan në vitin 1688 për ndihmë me anë të një letre Selisë së Shenjtë të Romës.
Ishte koha kur Pashë Begolli, ky Napoleon Zervë i shekullit të XVll-të, shërbëtor i Stambollit kishte bërë masakra çnjerëzore në Fisin e Gashit duke djegur e shkatërruar me zjarr e hekur krahinën, duke shkatërruar kishat e duke vrarë barbarisht katër priftërinj katolikë.
Sot pas qindra vitesh amaneti e shpirti i të parëve të mi më jep të drejtën sublime t’i drejtohem publikisht Atit të Shenjtë Papa Françeskut e t’i kërkoj që Selia e Shenjtë të njohë e bekojë pavarësinë e Kosovës!

At i Shenjtë !
Shqiptarët kanë parë në të gjitha kohërat tek Vatikani e paraardhësit tuaj në Fronin e Shën Pjetrit mikun e sinqertë dhe aleatin e madh në përpjekjet titanike për lirinë, ruajtjen e besimit e të vetë ekzistencës së tyre.

Ata i janë mirënjohes përjetësisht Selisë së Shenjtë, e cila në epokën heroike të Gjergj Kastriotit, kur në trojet tona luhej jo vetëm fati i këtij Kombi fisnik e liridashës, por edhe i Europës u bë aleate e tij duke i dhënë një ndihmë materiale e kurajo të paçmuar morale.
Nderimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti me titullin e ndritshëm të “Kapitenit të Selisë së Shenjtë dhe emrimin e tij si komandant të Kryqëzatës antiturke nga Papa Piu i Dytë është emblema e ndritshme që Selia e Shenjtë ka vendosur në gjoksin e një populli në nderim të luftës së tij për mbrojtjen e Europës nga barbarët e Azisë, forcimin e besimit, nxitjen e civilizimit dhe progresit të saj.
Është koha që ju si autoriteti më i lartë moral i botës, si përfaqësues i vullnetit të Krishtit në tokë e Peshkop i Romës të dekretoni me të drejtën hyjnore dhe juridike si Kryetar i Shtetit të Vatikanit njohjen e pavarësisë së Kosovës pas një akti të tillë të kryer nga Qeveria e Izraelit, e cila me këtë njohje e nxori atë nga kthetrat neo-otomane turko-arabe.

Kjo njohje ishte jo vetëm gjest solidariteti i Atdheut të profetëve e vendlindjes së Krishtit, por në radhë të parë ishte një dritë shprese e besimi për një popull martir, i cili ka ecur prej rreth 2000 vitesh në rrugën e golgotës duke mbrojtur identitetin e vet me kryqin e rëndë të mundimit e persekutimit, duke pritur me shpresë e kurajo mbinjerëzore agimin e lirisë dhe të shpresës.
Është momenti historik që ju t’i njihni Kosovës të drejtën hyjnore për të jetuar në paqe në shtetin e tokën e saj të premtuar, ashtu siç ua njohu vetë Zoti këtë të drejtë popullit të tij të zgjedhur Izraelit.
Marrveshja Kosovë-Serbi e inicuar dhe firmosur nga shteti me i fuqishëm i Planetit Amerika dhe njohja e Shtetit të Kosovës nga pasardhësit e Abrahamit e Moisiut, Davidit dhe Jezu Krishtit me firmën tuaj do të krijonte Trininë e Shenjtë të drejtësisë ndërkombëtare dhe një standard ri për t’i njohur më në fund çdo populli të drejtën për të jetuar i lirë dhe i pavarur në trojet e tij të lashta të cilat Zoti i plotëfuqishëm ia ka dhuruar.

I bekuar At i Shenjtë !
Une dhe brezi im që përjetuam diktaturën më të egër komuniste në Europë nuk do të harrojmë kurrë Shenjtorin e lirisë së popujve Papa Gjon Palin e Dytë, i cili në kohën kur shqiptarëve u ishte mohuar çdo lloj lirie, biles edhe ajo me sublimja besimi tek Zoti, Kreu i Kishës Katolike nga bregu i Otrantos i drejtoi sytë e tij ëngjëllor drejt tokës së Gjergj Kastriotit dhe u lut për popullin e tij martir.
Është kjo arsyeja që Nënë Tereza e Ibrahim Rugova ashtu si Heroi ynë Kombëtar në Shekullin e XV-të, i drejtuan syte e lutjet me shpresë nga Vatikani, miku dhe aleati i tyre i madh dhe kërkuan ndihmë për ta nxjerrë popullin e tyre nga skllavëria e imponuar nga armiqtë e lirisë, të Krishtërimit Roman, të vetë rrënjëve Judeo-Kristiane dhe civilizimit europian.
Sot mbi tre dekada pas rënies së perdes së hekurt e shembjes së Perandorisë Sovjetike, Turqia dhe Arabia Saudite në një aleancë paranojake me Rusinë e krishterë e me Kinën komuniste në vend të demonit të kuq të komunizmit duan të ringjallin në Kosovë, Bosnje e Shqipëri, si vende me “shumicë muslimane”, demonin e zi të fondamentalizmit islamik për ta përdorur si urë të ekspsnsionit të tyre fetar, ideologjik, kulturor dhe ushtarak drejt Italisë e vendeve të tjera perëndimore.

I nderuar dhe i bekuar At i Shenjtë!
Latinët e lashtë na kanë lanë trashëgim shprehjen lapidare:
“Ku është shtëpia e Zotit aty është liria”!
Selia e Shenjtë është kryetempulli i Zotit në Tokë, është shtëpia e lirisë së popujve, tempulli i paqes dhe mëshirës Hyjnore.
Në emër të paqes, lirisë e mëshirës hyjnore marr guximin t’ju kërkoj At i Shenjtë të nënshkruani Aktin e njohjes së Shtetit të Kosovës, si një nderim ndaj kontributit kolosal që shqiptarët kanë dhënë prej 2000 vitesh për Krishtërimin dhe lirinë e Kontinentit Europian.

Ju uruaj jetë të gjatë e sukses të plotë në Misionin tuaj të Shenjtë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME