Pensionistët e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa e tjetër e popullatës, pasi buxheti i tyre mujor është më tepër i përqendruar në blerjen e ushqimeve, që janë shtrenjtuar ndjeshëm, sesa të mallrave dhe shërbimeve të tjera të tilla si arsimi dhe argëtimi etj.
Anketa e buxhetit të familjeve tregon se nga shpenzimet totale mujore 41.3 për qind shkuan për ushqime më 2021, kurse për moshat në pension pesha e ushqimeve është 59 për qind e shpenzimeve mujore.
Sipas matjeve të INSTAT, gjatë periudhës qershor 2022- qershor 2023 treguesi zyrtar i inflacionit në vendin tonë ishte 6.9 për qind, ndërsa inflacioni i pensionistëve ishte 8.6 për qind, ose 1.7 pikë për qind më i lartë se treguesi mesatar.
Në bazë të një vendimi qeverie të vitit 2017 INSTAT mat inflacionin e pensionistëve për 12 gupe kryesore të shpenzimeve mujore, të cilat kanë pesha të ndryshme në raport me inflacionin mesatar që matet në rang vendi.
Inflacioni te pensionistët u sugjerua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pasi struktura e shpenzimeve të shportës në moshat mbi 65 vjeç është e ndryshme në raport me popullsinë e përgjithshme.
Në shportën e pensionistëve shpenzimet për shërbimet arsimore janë zero, ndërsa për popullatën e përgjithshme janë 3 për qind. Argëtimi dhe kultura zënë 1 për qind të shpenzimeve mujore të pensionistëve, ndërsa të mesataren e popullsisë 2.8 për qind.
INSTAT fillimisht dorëzoi inflacionin e pensionistëve çdo shkurt për vitin paraardhës me qëllim indeksimin e pensioneve, por me ngjarjet e fundit nga kriza e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë, INSTAT ka një tregues të përmuajshëm për inflacionin e pensionistëve.
Kjo praktikë shërben për të indeksuar pensionet më shumë se dy herë në vit nëse ndodhin rritje të mëdha çmimesh.
Të ardhurat nga pensioni për moshën e tretë janë shumë të ulëta në vendin tonë. Të dhënat zyrtare nga skemat publike të pensioneve tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri është 39% më i ulët se në Rajon këtë vit.
Sakaq Shqipëria nuk garanton të ardhura minimale për popullsinë. Legjislacioni nuk e specifikon një pikë referimi dhe kjo vështirëson mangësitë në të ardhura në kategori të caktuara ta popullatës. Një studim i vitit 2021 porositur nga Avokati i Popullit rekomandoi që Shqipëria duhet të japë një përkufizim ligjor të standardin minimal të jetesës dhe formësimin social.
Avokati i Popullit e përllogariti minimumin jetik 18,500 lekë në muaj për 2022. Të gjitha pagesat nën këtë nivel duke përfshitë edhe pensionet duhet të mbulohen nga qeveria nëpërmjet fondit të ndihmës ekonomike.
Duke qenë se një pjesë e madhe e pensionistëve nuk përmbushin kushtet ligjore për pagesa të plota te pensionit pasi shumica kanë punuar në informalitet dhe nuk kanë paguar kontribute, qeveria mund të kompensojë nga skema e ndihmës ekonomike ata që marrin pension poshtë minimumit jetik.
Nga data 1 tetor 2023 pensionet në të gjithë vendin do të rriten me 8.6 për qind bazuar në indeksin e shportës te pensionistët./ Monitor