Studentët e Mjekësisë prej një muaji vijojnë bojkotin dhe protestat kundër ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Ditën e sotme ata janë mbledhur në protestë para godinës së rektoratit, ndërsa një nga përfaqësit e tyre do të zhvillojë një takim me rektorin Arben Gjata.
Studentët kërkojnë mbështetje publike nga Gjata dhe të mos u paraqitet asnjë kontratë derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin final.
Çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor deri në 5 vite në vendin e tij dhe zgjedh të largohet jashtë Shqipërisë pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi.
Prej më shumë se 4 javësh tashmë studentët e Mjekësisë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur protestat kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve. Ata e kanë bërë të qartë se vetëm shfuqizimi i ligjit do t’i kthente në auditorë.