Ljupço Paleski-Palço, i cili njihet si drejtues i Lëvizjes “E treta”, është organizatori kryesor i rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevskës në RMV.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Punëve të Brendshme në RMV Oliver Spasovski, i cili të arratisurin e cilësoi si monstër.
Sipas tij, Palço është larguar nga Maqedonia për në Beograd, më pas në Bullgari më 30 nëntor, dy ditë pasi besohet se vrau të miturën.
Kreu i MPB-së bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast, është i përfshirë babai i saj, i cili, siç është shprehur Spasovski, i ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.
“Motivi për këtë rast është përfitimi, me ç’rast një nga personat në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, kanë organizuar dhe kryer aktin me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur që më pas të gjithë të keni përfitime”, ka thënë Spasovski.
Sipas policisë, viktima tjetër nga Veleshta nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të papastruara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal.