Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIINSTAT/ Korçarët më “punëtorët”, lezhjanët më “dembelët”

INSTAT/ Korçarët më “punëtorët”, lezhjanët më “dembelët”

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në vitin 2022, forcat e punës në Shqipëri numërojnë rreth 1.45 milion persona, të cilët përfaqësojnë popullsinë aktive të përbërë nga të punësuarit dhe të papunët në vend. ‘Scan Intel’, nisur nga të dhënat, ka analizuar tregun e punës në Shqipëri për vitin e kaluar, sipas qarqeve, për të parë se si variojnë treguesit.

Referuar “Vjetarit Rajonal Statistikor”, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës është regjistruar në qarkun e Korçës me 69.6%, pasuar nga Elbasani me 69.3 % dhe Berati me 69.1%. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës hedh dritë mbi potencialin e ekonomisë së një vendi për të angazhuar popullsinë në veprimtari produktive. Pra, nisur nga këto të dhëna duket se qarku i Korçës, Elbasanit dhe Beratit janë qarqet me potencialin më të lartë sa i përket pjesëmarrjes në forcat e punës.

Nga ana tjetër, shkalla më e ulët e pjesëmarrjes në forcat e punës është regjistruar në qarkun e Lezhës dhe të Dibrës me 53% dhe 56.5% përkatësisht, ndërkohë që mesatarja për vendin është 62.4%. Nisur nga grafiku shohim se përveç Lezhës, Dibrës dhe Tiranës, të gjithë qarqet e tjera regjistrojnë një shkallë të pjesëmarrjes në forcat e punës më të lartë se mesatarja kombëtare. Krahasuar me vitin 2021, ky tregues është rritur pothuaj në të gjitha qarqet me përjashtim të Gjirokastrës.

Por si paraqitet shkalla e punësimit sipas qarqeve? Nga të dhënat e INSTAT të përpunuara nga ‘Scan Intel’, raporti i të punësuarve të moshës 15 vjeç e lart ndaj popullsisë të së njëjtës moshë është 55.5% në vitin 2022. Shkalla më e lartë e punësimit është regjistruar në qarkun e Beratit me 64.6%, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 64.4%. Pra, shkalla më e lartë e punësimit është regjistruar në ato qarqe që kanë edhe pjesëmarrjen më të lartë në forcat e punës. Shkalla më e ulët regjistrohet në qarkun e Lezhës me 41.0% dhe të Dibrës me 46.4%. Në Lezhë, Dibër, Tiranë dhe Vlorë shkalla e punësimit është më e ulët se mesatarja kombëtare. Krahasuar me vitin 2021, shkalla e punësimit është rritur pothuaj në të gjitha qarqet përveç Gjirokastrës.

Nga këndvështrimi gjinor, diferenca më e madhe e shkallës së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, është shënuar në qarkun e Vlorës, ku hendeku është 16,1 pp, ndërsa mesatarja në Shqipëri është 11,1 pp. Ndërkohë, analiza e punësimit sipas veprimtarive ekonomike, tregon se shërbimet dhe bujqësia kanë pjesën më të madhe të të punësuarve, 44.2% dhe 33.9% përkatësisht, ndërsa të punësuarit në industri përbëjnë vetëm 21.9%.

Referuar të dhënave të raportit, në vitin 2022, kishte rreth 160 mijë njerëz të papunë në Shqipëri, që është e barabartë me 10.9% të forcës së punës gjithsej. Shkalla më e ulët e papunësisë është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës me 3.5% dhe Kukësit 4.9%, ndërsa ajo më e larta është regjistruar në Lezhë me 22.7%, Dibër me 17.8% dhe Vlorë me 15.3%. Krahasuar me vitin 2021, papunësia vihet re të jetë rritur në qarkun e Dibrës, Elbasanit, Kukësit, Lezhës dhe Tiranës. /Marrë nga SCAN

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME