Friday, December 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREPasaporta e Kosovës ngjit 34 vende, në 48 shtete mund të lëvizet...

Pasaporta e Kosovës ngjit 34 vende, në 48 shtete mund të lëvizet pa viza

Nga 1 janari qytetarët e Kosovës lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Por, qytetarët tani mund të udhëtojnë lirshëm në 91 shtete të botës.

Fuqia e pasaportës së Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm pas liberalizimit të vizave, duke i mundësuar qytetarëve kosovarë akses të pa penguar në një numër më të madh shtetesh.

Në kuadër të liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë lirshëm në 91 shtete të botës, një rritje prej 34 shteteve në krahasim me periudhën para vendimeve për lirimin e vizave.

Kjo rritje e ndjeshme në numrin e vendeve që mund të vizitohen pa nevojën e vizës paraqet një lëvizshmëri dhe liri individuale më të madhe për kosovarët.

Sipas të dhënave të fundit nga Indeksi Botëror i Pasaportave, Republika e Kosovës tani zë një pozitë ku qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në 48 vende të botës, me të drejtën për të marrë vizë në pikën e hyrjes (Visa on Arrival) në 41 shtete të tjera.

Megjithatë, regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për 107 shtete të tjera.

Në këtë renditje të re, pasaporta e Kosovës ka afërsisht një qasje të lirë për të udhëtuar në 46 për qind të shteteve të botës, duke sjellë një përmirësim të dukshëm në krahasim me periudhën para liberalizimit.

Ndërkohë, pasaporta më e fuqishme në botë mbetet ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila siguron hyrje pa viza në 90 për qind të shteteve të botës, duke vendosur një standard të lartë për liritë e udhëtimit.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh.

Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.

Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.

Në vitin 2012, institucionet e Bashkimit Evropian (BE) e ngarkuan Kosovën që të përmbushë 95 kritere për të pasur të drejtën e udhëtimit pa viza.

Procesi u bllokua shumë herë për shkak të dështimit të Kosovës për të përmbushur disa kritere dhe mungesa e vullnetit të palës së BE-së për këtë çështje duke shtuar kritere të reja.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës.

Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda. /monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME