Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non-grata” sot tre zyrtarë në rajon, duke vendosur emrat e tyre në listën e zezë të Departamentit të Shtetit.
Lista përfshin nga sot ish-kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva; kryetarin aktual të Karposhit, Maqedonia e Veriut, Stevço Jakimovski; dhe ish-kryetarin e Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku pasi sipas DASH ata janë përfshirë në minimin e sundimit të ligjit dhe besimit të publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse.
Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj.
Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Këto emërtime riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht.